Karvani i tribunave publike “Korrupsioni në shëndetësi, të flasim hapur” nisi nga Kumanova

Në sheshin e Kumanovës sot u mbajt tribuna e parë publike nga seria “Korrupsioni në shëndetësi – të flasim hapur”, ku folën përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, punonjës shëndetësorë dhe qytetarë. Ngjarja ishte e hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të ndajnë përvojat e tyre me korrupsionin në sistemin shëndetësor ose të ofrojnë propozime për tejkalimin e këtij problemi serioz, transmeton Portalb.mk.

Si skenografi ishte vendosur një dhomë pritjeje e improvizuar, e cila simbolizonte format më të shpeshta të korrupsionit në shëndetësi.

Tribuna publike u mbajt në kuadër të projektit “Sistem më i fuqishëm për mbrojtje më të drejtë: Reduktimi i korrupsionit në shëndetësi”, të cilin e zbaton Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave – ESE.

“Qëllimi kryesor i kësaj tribune publike ishte të flasim hapur për korrupsionin dhe parregullsitë në shëndetësi, por mbi të gjitha për mënyrën se si ato ndikojnë në qasjen në shërbimet shëndetësore, në besimin e pacientëve dhe në punën e punonjësve shëndetësorë. Hulumtimi ynë tregoi se problemi nuk është vetëm nëse dikush ka dhënë ose ka kërkuar para, por edhe kur pacienti beson se pa lidhje, dhuratë ose pagesë shtesë nuk do të arrijë në kohë te shërbimi për të cilin ka nevojë. Atëherë krijohet pabarazi dhe humbet besimi në sistem”, tha Darko Antiç nga Shoqata ESE, i cili ishte moderator i ngjarjes.

Kumanova është një nga komunat ku është kryer hulumtim mes qytetarëve dhe punonjësve shëndetësorë, ndërsa janë organizuar edhe grupe të fokusit me gra nga kategori të ndryshme.

Problemet kryesore që i kanë theksuar qytetarët janë pritja e gjatë për termin te specialisti ose për operacion, barnat e shtrenjta dhe pagesa e paligjshme për shërbime gjinekologjike falas.

“Për shkak të të gjitha këtyre arsyeve, qytetarët shpesh detyrohen të kërkojnë një rrugë më të shpejtë për të marrë një shërbim të caktuar shëndetësor, duke hyrë kështu në parregullsi dhe veprime korruptive. Ndonjëherë ata vetë kanë ofruar para për t’u siguruar se ata ose të afërmit e tyre do të marrin shërbimin shëndetësor, ndërsa në raste të tjera nga ata është kërkuar personalisht një shumë e caktuar parash, janë udhëzuar për kontroll në një institucion shëndetësor privat ose për të blerë barna dhe preparate specifike“, theksoi Lidija Ilievska, kryetare e Shoqatës Humanitare „Majka“ nga Kumanova.

Para të pranishmëve u nda dëshmia e një pacienteje e cila ishte përballur drejtpërdrejt me korrupsion në shëndetësi.

“Burri im ishte në gjendje kritike shëndetësore dhe kishte nevojë për ndërhyrje urgjente kirurgjikale. Në spital na thanë se duhet të prisnim më shumë se një muaj, pasi kishte një numër të madh pacientësh me termine të caktuara për operacion. Ditën e dytë në spital më erdhi një infermiere dhe më ofroi që, nëse dëshironim që burri im të operohej sa më shpejt, të paguanim 3.000 euro. I thashë se duhet të flisja me familjen, pastaj do ta njoftoja. Meqë për ne ishte e rëndësishme jeta e burrit tim, u dakorduam të jepnim paratë, i morëm hua dhe të nesërmen i thashë infermieres se pranonim. Ajo më dha adresën e një kafeneje dhe emrin e një personi të caktuar, ku duhej t’i linin paratë. Djali im i mori paratë dhe ia dorëzoi. Të nesërmen burri im u operua. Falë Zotit, tani është mirë”.

Në tribunë u theksua se korrupsioni nuk i dëmton vetëm pacientët, por edhe punonjësit shëndetësorë që punën e tyre e kryejnë me ndershmëri dhe profesionalizëm.

“Shumica e punonjësve shëndetësorë çdo ditë e ushtrojnë profesionin e tyre me përgjegjësi dhe përkushtim të madh. Por në shëndetësi, ashtu si në çdo sistem tjetër, edhe parregullsitë individuale mund të kenë pasoja shumë më të mëdha se vetë rasti konkret. Një rast mund të krijojë dyshim. Më shumë raste mund të krijojnë mosbesim, ndërsa mosbesimi në fund mund të përhapet në të gjithë sistemin dhe te të gjithë ata që e ushtrojnë me ndershmëri profesionin e tyre. Prandaj, punonjësit shëndetësorë janë ndër aktorët më të rëndësishëm në zgjidhjen e këtij problemi”, tha Nina Bliznakovska Stojkoviq, mjeke e mjekësisë së përgjithshme.

Karvani i tribunave publike “Korrupsioni në shëndetësi – të flasim hapur” vazhdon të shtunën e ardhshme në Prilep.

Shoqata ESE po e zbaton projektin “Sistem më i fuqishëm për mbrojtje më të drejtë: Reduktimi i korrupsionit në shëndetësi” me mbështetje financiare nga Expertise France, përmes Agence française de développement.