Gjykimi për tragjedinë në Koçan, eksperti: Pronari duhej të kërkonte ndryshimin e destinimit të objektit

Me pyetje për ekspertin Goran Markovski, dekan i Fakultetit të Ndërtimtarisë në Shkup, nga avokatët e të akuzuarve në rastin për zjarrin në diskotekën “Puls”, sot vazhdoi seanca gjyqësore. Pyetjet kryesisht kishin të bënin me ndryshimin e destinimit të objektit nga repart prodhues në diskotekë, transmeton Portalb.mk.

Sipas tij, Ligji për Ndërtim i obligon pronarin e objektit të parashtrojë kërkesë për ndryshimin e destinimit të objektit, ndërsa marrëveshjet gojore ose me shkrim ndërmjet pronarit dhe qiramarrësit nuk mund t’i zëvendësojnë detyrimet ligjore.

Prindërit e viktimave të zjarrit gjatë seancës së sotme reaguan se pyetjet janë vetëm përsëritje e asaj që tashmë dihet dhe është thënë. Sipas tyre, nëse nuk ka diçka që mund të dëshmohet ose kundërshtohet në mënyrë thelbësore me fakte, atëherë shtyrjet e seancave nuk do të krijojnë argumente të reja.

Në zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u lënduan. Kjo është një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit.

Numri i përgjithshëm i të akuzuarve në procesin gjyqësor është 35 persona dhe tri kompani. Mes tyre janë pronari dhe persona nga struktura e të punësuarve të diskotekës, ish-ministra të ekonomisë, ish-kryetarë të Komunës së Koçanit, inspektorë dhe zyrtarë të tjerë. Të gjithë do të gjykohen për të njëjtën vepër penale – “shkaktim të veprave të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.