“Myfortic” sërish pa pagesë shtesë për pacientët me veshkë të transplantuar

Fondi për Sigurim Shëndetësor ka njoftuar se nga 26 gushti, ilaçi “Myfortic” në dozat 180 dhe 360 miligramë do të jetë i disponueshëm për pacientët me veshkë të transplantuar pa pagesë shtesë në barnatore, transmeton Portalb.mk.

Ilaçi “Myfortic” më parë ishte falas, por papritur u shtrenjtua në 3.450 denarë, pasi Fondi Shëndetësor futi versione gjenerike të ilaçit.

Tani situata po korrigjohet, përkatësisht po rikthehet në gjendjen fillestare.

“Janë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme, Bordi Drejtues dha pëlqimin e nevojshëm, janë bërë ndryshimet në Klasifikimin e barnave, ndërsa barnatoret kontraktuese janë informuar për mënyrën e re të dhënies së ilaçit. Me këtë, nga nesër pacientët nuk do të paguajnë më 615 denarë shtesë për ‘Myfortic’ 180 miligramë dhe 1.439 denarë për ‘Myfortic’ 360 miligramë”, thonë nga Fondi Shëndetësor.

Pacientët me veshkë të transplantuar duhet ta marrin ilaçin “Myfortic” për një periudhë të gjatë, më së shpeshti gjatë gjithë jetës, në mënyrë që organizmi të mos e refuzojë organin e transplantuar.