35 mijë njerëz kanë vdekur në Evropë si pasojë e temperaturave të larta

Të paktën 35 mijë njerëz kanë vdekur në Evropë gjatë katër valëve rekord dhe të njëpasnjëshme të të nxehtit këtë verë, më shumë se sa do të pritej zakonisht, sipas të dhënave jo të plota nga pak më shumë se gjysma e kontinentit, transmeton The Guardian.

Vdekshmëria shtesë vetëm në tri nga vendet më të mëdha të BE-së: Gjermani, Francë dhe Spanjë, tashmë ka tejkaluar 25 mijë raste, sipas të dhënave paraprake kombëtare. Ekspertët thonë se shifra do të rritet ndjeshëm pasi të përpunohen dhe konsolidohen edhe të dhënat për muajin gusht.

Valët e njëpasnjëshme të të nxehtit në Evropën Perëndimore që nga maji kanë thyer rekordet historike të temperaturave në qindra stacione meteorologjike, ndërsa Franca regjistroi ditën më të nxehtë në historinë e saj, sipas temperaturës mesatare kombëtare.

Në Gjermani, në fund të qershorit, rekordet u thyen për tri ditë radhazi, ndërsa në 46 stacione meteorologjike temperatura kaloi 40°C. Spanja, ndërkaq, u përball me temperatura të zgjatura mbi 42°C.

Shkencëtarët thonë se ngrohja globale e shkaktuar nga aktiviteti njerëzor po i bën këto ngjarje ekstreme të motit më të shpeshta dhe më intensive.

Numri më i lartë i viktimave është në Gjermani, e cila në fund të javës së kaluar raportoi rreth 14 mijë vdekje të lidhura me valën e të nxehtit në periudhën nga 6 prilli deri më 9 gusht. Instituti gjerman “Robert Koch” (RKI), agjencia për shëndetin publik, njoftoi se vetëm gjatë javës nga 22 deri më 28 qershor kanë vdekur 9.600 njerëz.

Të dhënat e mbledhura në mënyrë sistematike për vdekshmërinë shtesë në nivel të BE-së, të disponueshme që nga viti 2008, tregojnë se e vetmja javë tjetër e verës me shkallë më të lartë të vdekjeve shtesë ishte korriku i vitit 2022, kur COVID-19 ende po përhapej në mënyrë aktive.

Ky është deri tani verë më vdekjeprurëse në Gjermani për sa u përket vdekjeve të lidhura me temperaturat e larta, që kur kanë filluar të mblidhen të dhënat zyrtare.

Rekordi i mëparshëm në vendin më të populluar të BE-së ishte 8.900 vdekje në vitin 2018. Gjatë verave të zakonshme, numri i vdekjeve të lidhura me temperaturat e larta shpesh është nën 2.000.