Gjykata e Strasburgut vendosi në favor të një të burgosuri që u rrah nga një polic në “Idrizovë”

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka vendosur në favor të të burgosurit Fitim Musliu, i cili në gusht 2022 paditi vendin për shkelje të Nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në padinë e tij, ai theksoi se iu nënshtrua trajtimit çnjerëzor nga një polic burgu dhe se autoritetet vendase nuk arritën të kryenin hetim efektiv për rastin. Rasti ka të bëjë me një incident më 3 gusht 2020, kur i dënuari u sulmua fizikisht dhe u rrah nga një anëtar i policisë së burgut para mensës në burgun e Idrizovës, duke rezultuar në lëndime trupore, transmeton Portalb.mk.

Shoqata Maqedonase e Avokatëve të Rinj, avokati i së cilës Dime Gjorçevski përfaqësoi rastin para Gjykatës në Strasburg, informon se në lidhje me ngjarjen, një ankesë u paraqit fillimisht në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) kundër komandantit të policisë së burgut në “Idrizovë” për disa vepra penale – torturë dhe trajtime e ndëshkime të tjera mizore, çnjerëzore ose poshtëruese, ngacmim gjatë kryerjes së detyrës dhe diskriminim racor dhe të tjera.

“Akuzat penale u rrëzuan, pas së cilës u paraqit ankesë në Prokurorinë e Lartë Publike, e cila mbështeti vendimin e Prokurorisë Publike NKOK. Para Gjykatës së Strasburgut, aplikanti u ankua për shkelje të Nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se i ishte nënshtruar trajtimit çnjerëzor nga një zyrtar burgu dhe se autoritetet vendase nuk kishin kryer hetim efektiv mbi akuzat”, thanë nga Shoqata e Avokatëve të Rinj Maqedonas.

Pas një përpjekjeje të pasuksesshme për të arritur zgjidhje miqësore, Qeveria paraqiti deklaratë në Gjykatën e Strasburgut duke pranuar se kishte pasur shkelje të të drejtave të aplikantit dhe duke ofruar t’i paguante atij kompensim prej 11,295 eurosh.

Edhe pse aplikanti tregoi se nuk ishte i kënaqur me deklaratën dhe se masat për të kapërcyer problemet strukturore që lidhen me trajtimin çnjerëzor dhe hetimet joefektive në burgje nuk ishin specifikuar, Gjykata tregoi se nuk ishte më e justifikuar të vazhdonte shqyrtimin e kërkesës. Megjithatë, GJEDNJ në këtë drejtim tregoi se një vendim i tillë nuk e lironte shtetin nga detyrimi për të kryer hetim në përputhje me kërkesat e Konventës, duke marrë parasysh njohjen e shkeljes së të drejtave të aplikantit.

Shoqata Maqedonase e Avokatëve të Rinj e përshëndeti vendimin e Gjykatës në Strasburg dhe tregoi se ai konfirmoi mangësitë sistematike afatgjata në sistemin e burgjeve, si dhe joefektivitetin e mekanizmave të brendshëm dhe të jashtëm për raportimin dhe ndjekjen penale të rasteve të torturës dhe trajtimit çnjerëzor ose degradues të personave të dënuar.