Besim Krasniqi kërkohet vetëm me fletarrest qendror, por jo edhe me fletarrest ndërkombëtar
Besim Krasniqi, vëllai i të njohurit Agim Krasniqi, është në kërkim vetëm me fletarrest qendror, por jo edhe me fletarrest ndërkombëtar, sipas informacioneve të MPB-së për “Sloboden Peçat”, pasi mediumi publikoi se Krasniqi, i cili u ekstradua nga Kosova në vitin 2024, ka arratisur sërish pasi iu dha ndërprerje e vuajtjes së dënimit me burg, transmeton Portalb.mk.
“Ju njoftojmë se me kërkesë të gjykatës kompetente për personin në fjalë është shpallur fletarrest qendror”, thonë nga MPB-ja.
Gjykata Penale njoftoi se ai ishte liruar nga burgu i “Idrizovës” për t’u kuruar, por pasi Gjykata Penale, edhe pse kishte kërkuar, nuk ia vazhdoi ndërprerjen e vuajtjes së dënimit, ai nuk u kthye më në burg.
Pasi i skadoi afati prej 30 ditësh që i ishte dhënë për trajtim, më 16 qershor ai kërkoi zgjatjen e ndërprerjes, por gjykata e refuzoi.
“Pas kërkesës për zgjatjen e ndërprerjes, gjykata me Aktvendimin PK.nr.10/26 të datës 16.06.2026 e refuzoi kërkesën e të dënuarit, duke vlerësuar se nga dokumentacioni mjekësor i dorëzuar nuk rezulton nevoja për trajtim të mëtejshëm, më të gjatë se 30 ditë, jashtë institucionit ndëshkim-korrektues. Ankesa e të dënuarit B.K. u refuzua me Aktvendimin KS-KR.nr.923/26 të datës 10.07.2026 nga këshilli penal i kësaj gjykate dhe aktvendimi i gjyqtarit për ekzekutimin e sanksioneve u konfirmua”, shpjegojnë nga Gjykata Penale.
Megjithatë, Krasniqi, edhe pse kërkesa e tij ishte refuzuar, nuk u kthye në “Idrizovë”, për çka gjykata u njoftua më 10 korrik 2026 nga drejtori i burgut, Zoran Jovanovski. Gjykata lëshoi urdhër për arrestimin e tij, si dhe fletarrest, nëse konstatohet se ai fshihet ose është në arrati.
Institucionet nuk bëjnë të ditur se sa vite burgim i kishin mbetur për të vuajtur Krasniqit, duke pasur parasysh se ai ishte dënuar me 28 vjet e gjashtë muaj burgim për një sërë veprash penale.
Agim Krasniqi, Besim Krasniqi, Sehat Ramadani dhe Fadil Toçi ishin arrestuar në Ferizaj. Bëhet fjalë për persona nga grupi i Kondovës, i cili për një kohë të gjatë kishte shkaktuar frikë dhe pasiguri në rajonin e Shkupit.
Vëllai i Besimit, Agim Krasniqi u arrestua në vitin 2008, bashkë me grupin e tij 7-të anëtarësh për parregullsi zgjedhore gjatë zgjedhjeve të atëhershme parlamentare. Grupi i tij gjithashtu është dënuar për terrorizëm, gjegjësisht planifikim të sulmit në Shkup.