Mbi 10.400 shkelje për katër muaj nga drejtuesit e trotinetëve dhe motoçikletave
Në periudhën nga maji deri në gusht të këtij viti, zyrtarët policorë kanë konstatuar 10.411 kundërvajtje, prej të cilave 1.571 kanë të bëjnë me trotinetët elektrikë, 34 me biçikletat, ndërsa 8.806 me mopedët, motoçikletat dhe trirrotakët, transmeton Portalb.mk.
Pjesa më e madhe e kundërvajtjeve – 7.303, janë për mosmbajtjen e helmetës, ndërsa 718 gjoba janë shqiptuar për drejtim në sipërfaqe të papërshtatshme. Për drejtimin e automjeteve të paregjistruara ose pa policë sigurimi janë evidentuar 401 kundërvajtje, ndërsa 322 për mosmbajtjen e jelekut reflektues.
Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) thuhet se janë evidentuar edhe 81 kundërvajtje për drejtim nga persona nën moshën 18 vjeç, 45 për drejtim nën ndikimin e alkoolit dhe 1.541 kundërvajtje të llojeve të tjera.
Përveç kundërvajtjeve, gjatë kontrolleve aksionare janë zbuluar edhe 619 vepra penale. Prej tyre, 604 kanë të bëjnë me drejtimin e automjetit pa patentë shoferi, 14 me drejtimin nën ndikimin e alkoolit, ndërsa një me drejtimin në drejtim të ndaluar.
Në kuadër të masave të ndërmarra, janë konfiskuar gjithsej 423 mjete transporti, prej të cilave 20 trotinetë elektrikë dhe 403 mopedë, motoçikleta dhe trirrotakë.
Nga MPB-ja thonë se vazhdojnë me kontrollet e përforcuara në komunikacion për zbulimin dhe sanksionimin në kohë të shkeljeve të rregullave, parandalimin e aksidenteve në trafik dhe mbrojtjen e jetës së njerëzve.
Prej atje u bëjnë apel të gjithë drejtuesve t’i respektojnë rregullat e komunikacionit, të përdorin pajisjet e përcaktuara mbrojtëse, të mos drejtojnë nën ndikimin e alkoolit dhe të mos drejtojnë automjete pa i përmbushur kushtet ligjore.