Gjatë zgjedhjeve lokale në RMV, më aktivë në rrjetet sociale ishin liderët e partive të mëdha

Fondacioni Metamorfozis, dje, promovoi dy analiza të procesit zgjedhor në kuadër të konferencës me titull “Mbrojtja e demokracisë dhe integritetit zgjedhor – monitorimi i keqpërdorimit të burimeve administrative, reklamimit politik dhe fushatat e palëve të treta” të organizuar nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES). Analizat kishin të bënin me abuzimin e burimeve administrative në rrjetet sociale dhe platformat digjitale dhe reklamimin politik në rrjetet sociale gjatë Zgjedhjeve Lokale të vitit 2025, transmeton Portalb.mk.

Analiza e parë me titull “Komunikimi institucional dhe komunal në Facebook dhe faqet zyrtare gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 në Maqedoninë e Veriut” tregon një trend sistemik të komunikimit institucional të politizuar gjatë fushatës parazgjedhore dhe dominimin e përmbajtjes promovuese.

Siç theksoi Goran Rizaov nga Fondacioni Metamorfozis, fokusi ishte në Nenin 8a të Kodit Zgjedhor, i cili ndalon përdorimin e fondeve shtetërore për promovimin e aktiviteteve partiake, por, për shkak të ndryshimeve të shpeshta, lë hapësirë, ose më saktë një të ashtuquajtur zonë gri, përmes së cilës partitë në pushtet mund të përdorin burimet shtetërore për qëllime zgjedhore.

“Qëllimi ishte të shihnim se sa neutrale janë institucionet shtetërore në Facebook, të shihnim mënyrën e tyre të komunikimit, ta krahasonim atë me mënyrën e komunikimit në faqet zyrtare të internetit dhe atë që publikojnë. Ne e kryem monitorimin për 20 ditë, para raundit të parë të zgjedhjeve lokale, dhe mbuluam 26 komuna dhe 10 institucione, pra faqet e tyre në Facebook dhe faqet e internetit. Kishim 36 faqe që monitoruam dhe shumica e tyre ishin aktive. Numëruam 45 postime në ditë që publikonin. Sa i përket natyrës së postimeve, rezultatet treguan se 60 përqind ishin promovuese, që do të thotë se ato promovonin një kandidat të caktuar në zgjedhje. 40 përqind ishin neutrale, që do të thotë se ato përmbanin informacione shërbimi të destinuara për qytetarët. Kishte abuzim të qartë vetëm në një rast, ndërsa postimet promovuese ishin dominuese”, tha ai.

Shumica e përmbajtjes promovuese nuk u identifikua në faqet e komunave, por në faqet e Facebook-ut të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ish-zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti. Konkretisht, nga kryeministri u zbuluan gjithsej 201 postime, të gjitha prej të cilave janë promovuese për kandidatët e partisë së tij politike, ngjashëm me ish-zëvendëskryeministrin, i cili kishte 173 postime , pothuajse të gjitha prej të cilave janë promovuese.

“Në analizë, ne kemi renditur një duzinë rekomandimesh, dhe ndër kryesoret janë respektimi i qartë i Kodit Zgjedhor, pra Nenit 8a, mospërdorimi i fondeve shtetërore për promovimin e kandidatëve, harmonizimi i legjislacionit me standardet ndërkombëtare, ndarja e qartë e aktiviteteve që janë pjesë e institucioneve dhe aktiviteteve të fushatës së kandidatëve, zhvillimi i rekomandimeve të qarta mbi mënyrën e komunikimit gjatë procesit zgjedhor dhe trajnimi i departamenteve të marrëdhënieve me publikun brenda institucioneve”, vuri në dukje Rizaov.

Analiza e dytë, e titulluar “Reklamimi politik i sponsorizuar në Facebook dhe Instagram gjatë Zgjedhjeve Lokale 2025 në Maqedoninë e Veriut: I dukshëm, por i parregulluar”, u prezantua nga Zoran Riçliev nga Fondacioni Metamorfozis.

Siç theksoi ai, të njëjtat 20 ditë të fushatës (29 shtator – 17 tetor 2025) u mbuluan metodologjikisht, duke monitoruar faqet e mediave sociale të 52 kandidatëve për kryetarë komune në të njëjtat 26 komuna si në analizën e parë. Më shumë se gjysma e tyre (54 përqind) përdorën në mënyrë aktive reklama të paguara në platformat Meta.

Brenda mostrës, u regjistruan 812 reklama aktive me vlerë totale prej 23,308 eurosh. Shumica e reklamave (92.6 përqind) u financuan drejtpërdrejt nga vetë kandidatët, ndërsa rreth 7.4 përqind u financuan nga partitë politike ose koalicionet. Megjithatë, një analizë shtesë e reklamave të përgjithshme politike në vend tregon vëllim shumë më të madh fondesh. 50 reklamuesit më të mëdhenj në periudhën parazgjedhore shpenzuan 153,342 euro në të njëjtën periudhë.

“Është e qartë se kjo fushatë u drejtua nga udhëheqësit e partive. Në këto statistika, ka një përqendrim në nivel kombëtar dhe tek udhëheqësi i partisë. Partia e Majta shpenzoi më shumë në rrjetet sociale për këto zgjedhje, 12,170 euro, e ndjekur nga Hristijan Mickovski 11,298 dhe Venko Filipçe 10,178. Nga kandidatët, Orce Georgievski ka më shumë, 10,000 euro, në Facebook. Kemi rezultate të pazakonta, gjegjësisht një mospërputhje në aspektin e moshës. Targeti kryesor janë të punësuarit e moshës 25 deri në 54 vjeç. Partitë shpenzuan pikërisht për këta njerëz. 30 përqind e parave u investuan për të synuar të moshuarit. Vetëm 7 përqind e të rinjve nën 24 vjeç janë të synuar në reklamat politike të paguara në Facebook dhe Instagram. Ndoshta ajo gjeneratë po largohet nga këto dy platforma dhe po shkon në TikTok. Kjo sugjeron që aktorët politikë po përqendrohen posaçërisht në këto zgjedhje dhe nuk po investojnë në të ardhmen e komunikimit me të rinjtë”, tha Riçliev.

Sipas tij, midis rekomandimeve është ai që ka të bëjë me Kodin Zgjedhor, i cili duhet të prezantojë gradualisht rregullat e lojës në rrjetet sociale. Përveç kësaj, rekomandohet që KSHZ-ja dhe Komisioni Kundër Korrupsionit të kenë informacion në kohë reale mbi shpenzimin e parave, sepse, sipas Riçliev, nëse dëmi është shkaktuar, është tepër vonë për të reaguar pas zgjedhjeve.

“Duhet të ketë mjete për monitorimin e asaj se kush financon në kohë reale”, shtoi ai.

Konferenca u hap nga SH.T. Christoph Sommer, ambasador i Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, SH.T. Daniel Filler, zëvendës shef i Misionit në Ambasadën Britanike në Shkup (TBC), si dhe Ioana Kosma, drejtoreshë e IFES në vend. Fjalimet hapëse theksuan rëndësinë e proceseve zgjedhore transparente dhe të përgjegjshme, veçanërisht në kushtet e rritjes së reklamave politike online dhe formave të reja të ndikimit tek votuesit.

Zgjedhjet e teta lokale në RMV u mbajtën në vjeshtën e vitit 2025, rrethi i parë u mbajt më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë me 2 nëntor.

Në rrethin e parë u zgjodhën 44 kryetarë komunash, në raundin e parë VMRO-DPMNE fitoi 33 komuna, VLEN 5, AKI 3 dhe LSDM 3.

Në rrethin e dytë VMRO-DPMNE fitoi 21 komuna dhe Qytetin e Shkupit, Vlen 4, LSDM 3, AKI 1, ZNAM 1, Unioni i Romëve 1 dhe Mendi Qyra i përkrahur nga VLEN.