Izraeli pranoi 230 avionë dhe 20 anije të ngarkuara me armatime amerikane që nga shpërthimi i luftës në Gaza

SHBA-ja ka dërguar 230 avionë mallrash dhe 20 anije të ngarkuara me armatime dhe pajisje ushtarake në Izrael që nga shpërthimi i konfliktit të Gazës më 7 tetor, transmeton Anadolu.

Siç raporton gazeta ‘Yedioth Ahronoth’, ndihma ushtarake e SHBA-së përfshin predha artilerie, automjete të blinduara dhe mjete luftarake bazë për ushtarët.

Ministria e Mbrojtjes e Izraelit vlerëson se kostoja e luftës aktuale në Rripit e Gazës është rreth 65 miliardë shekelë (17 miliardë dollarë).

Duke cituar një zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes, gazeta izraelite tha se ushtria ka përdorur shumicën e municioneve në depot e saj në fillim të luftës.

“Por Izraeli arriti të rimbushë depot e tij në përgatitje për një luftë të mundshme në shkallë të gjerë me grupin libanez Hezbollah”, tha gazeta izraelite.

Sipas shifrave të ushtrisë izraelite, të paktën 489 ushtarë izraelitë janë vrarë në përleshjet me luftëtarët palestinezë në Rripin e Gazës që nga 7 tetori.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, sipas shifrave të autoriteteve shëndetësore në enklavë, duke vrarë të paktën 20.674 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur mbi 54.536 të tjerë.

Sulmet izraelite e kanë shndërruar Gazën në gërmadha, me gjysmën e banesave të territorit bregdetar të dëmtuara ose të shkatërruara dhe me pothuajse 2 milionë njerëz të zhvendosur brenda enklavës me një popullsi të dendur mes mungesës së ushqimit dhe ujit të pastër.