Galeria e Artit dhe Muzeu Kombëtar i Fotografisë në Tiranë sjellin koleksionet e dinastisë Marubi

Më (27 shkurt), Muzeu “Marubi” dhe Galeria e Artit në  Tiranë do të sjellin së bashku ekspozitën me imazhet e dinastisë Marubi, në 100 vjet jetë të kësaj studioje fotografike, transmeton Portalb.mk.

Nga faqja zyrtare e Muzeut “Marubi” bëjnë të ditur se për herë të parë në Tiranë, do të zbulohen tre gjeneratat e jashtëzakonshme të fotografëve të Dinastisë Marubi, në një ekspozitë të kuruar nga Kim Knoppers. Mbi 150,000 xhama negativë të arkivës së Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” (1865-1959), do të sjellin imazhe të paharrueshme dhe të pashfaqura më parë për publikun.

Ekspozita “Dinastia Marubi – Njëqind vite të studios fotografike shqiptare” është e kuruar nga Kim Knoppers. Në ekspozitë, për herë të parë do të shfaqen fotografi të jashtëzakonshme nga koleksionet e autorëve të njohur Pietro, Kel dhe Gegë Marubi, imazhe të cilat në vitin 2016 u ekspozuan në Muzeun e Fotografisë të Amsterdamit FOAM dhe në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në 2019.

Muzeu Kombëtar “Marubi” e konsideron këtë si një moment të veçantë për të shfaqur trashëgiminë e Marubëve, dhe një mundësi të rrallë për t’u zhytur në botën e imazheve që kanë dokumentuar historinë tonë. “Marubi” ftoi të apasionuarit pas fotografisë të mos e humbasin këtë mundësi të veçantë.

Për të gjithë të interesuarit ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun përgjatë dy muajve, deri më 27 prill 2025.

Pietro Marubbi, Smuker & Muller. Foto:Muzeu Kombëtar i Fotografisë "Marubi" (Facebook)
Pietro Marubbi, Smuker & Muller. Foto:Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” (Facebook)