Fotografi

“Ju jeni profesor dhe ju duhet një imazh i veçantë, dukja mbresëlënëse, në veçanti ajo mediale dhe virtuale që e plotëson personalitetin tuaj akademik. Mund të bëjmë një seancë fotografish dhe të nxjerrim një produkt ekselent” – tha fotografi i diasporës dhe pas ca minutash e mbyllëm bisedën. Dhe që nga ajo ditë jam duke e menduar këtë gjë, “po” a “jo”. Një giligicje apo pickim i marketingut dhe ja, të bën për vete. Së paku të trazon dhe s’të lë rehat, ta hedh grepin ku shumë lehtë mund të kapesh apo të peshkohesh.

Kjo në fakt mund të jetë në favor tëndin, por ama pse s’të lënë të qetë. Sepse duan që të të bëjnë pjesë të fushatës së vet nga e cila e bëjnë paranë dhe rrisin brendin e tyre të mass-kulturës. Është kjo pjesë e asaj që quhet psikologji e marketingut që ndikon në sjelljen e konsumatorit. Dhe një ndër 15 parimet e kësaj strategjie është reciprociteti: kur ne duam të përfitojmë diçka, duhet të ofrojmë diçka si kundërvlerë.

Pra fotografi fiton paratë, ndërsa ne bëjmë marketing vizual – të vetes- që nënkupton përdorimin e imazheve, të videove dhe të përmbajtjes multimediale për të fuqizuar markën dhe për të komunikuar me target audiencën tonë. Një princip tjetër i kësaj psikologjie është “Just imagine!” Veç imagjino ti se di do dukesh kur fotot do bëhen nga një autoritet si unë!

Nga ky rast konstatova apo e riverifikova se sa e rëndësishme është fjala e tjetrit dhe e të tjerëve. Ajo mund t’ju shtyjë të krijoni agjendë të re, të paqenë. Më kujtohet viti 2015, kur patëm, blerë një veturë Golf 7, 1.2, nga salloni dhe pas një kohe, miqtë e afërm, vazhdimisht na bënin presion se është e vogël, ka motor të dobët, na thonin “juve s’ju ka hije një makinë e tillë, duhet të blini diçka më të fuqishme, më grandioze”, dhe me atë veturë s’e shtyva as deri në 40.000 km. E bëmë trampë, e shkëmbyem për një xhip të një brendi gjerman, me të cilin s’na eci fare: aksident trafiku ku makina u bë gërmadhë hekuri, të cilën pas ca ditësh e shitëm thuajse për çmim skrapi. Sikur na zuri haku i veturës së re që e  përbuzëm. Bëmë ndryshim të panevojshëm, ndryshim koti, vetëm për t’i kënaqur të tjerët.

Fjala është te fjala, te prekja në damar dhe mendje përmes disa fjalëve që te ju mund të shkaktojnë ndryshime nga më të voglat deri te ato radikale. E sa i përket seancës së fotografisë ende s’kemi vendosur. Shumicën e fotove në profilin tonë i kanë bërë gazetarët apo shokët, madje kemi edhe të bëra vetë dhe s’kemi kurrfarë problemi, s’ndjejmë kurrfarë mangësie. Ndjehemi mirë, komod. Por, herë pas here mendojmë se si do të dukej profili jonë me fotografi profesionale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.