Fondacioni Metamorfozis: Ngritja e fakteve është detyrë e përbashkët e publikut nga të gjitha segmentet e shoqërisë

Ngritja e rëndësisë së fakteve nuk është detyrë vetëm e profesionistëve, por është detyrë e përbashkët që përfshin pjesëmarrjen e publikut nga të gjitha segmentet e shoqërisë. Duke forcuar verifikimin e fakteve dhe duke promovuar burime të besueshme në raportimin gazetaresk, ne mund të nxisim një ekosistem të shëndetshëm lajmesh në të cilin dominojnë faktet, raporton Portalb.mk.

Një mesazh të tillë e dërgoi Fondacioni për Internet dhe Shoqëri ‘Metamorfozis’ me rastin e 2 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve – nismë ndërkombëtare që beson se informacioni i saktë luan rol thelbësor në një botë të lidhur globalisht.

“#FaktetKanëRëndësi (#FactsMatter) në ndërtimin e një shoqërie të informuar dhe rezistente ndaj dezinformatave edhe kur është #DitaEVerifikimitTëFakteve (#FactcheckingDay), por edhe çdo ditë tjetër”, tha Metamorfozis.

Anëtar i plotë dhe i certifikuar i Rrjetit Ndërkombëtar për Verifikimin e Fakteve në Maqedoninë e Veriut që nga viti 2019 është Fondacioni Metamorfzsis dhe portali i verifikimit të fakteve Vërtetmatësi.

Që nga viti 2023, Metamorfozis dhe Vëretetmatësi janë gjithashtu anëtarë të certifikuar të Rrjetit Evropian për Standardet në Verifikimin e Fakteve të sapothemeluar me qendër në Bruksel, Belgjikë, në verifikimin e fakteve në formë aktive janë të përfshira edhe publikime të tjera të Metamorfozis – Agjencia e Lajmeve Meta dhe portali informativ në gjuhën shqipe – PortALB.

“Në vitin që lamë pas, botimet e Metamorfozës punuan pothuajse 1000 verifikime të fakteve dhe ekspozime spinash (manipulimesh) të shprehura nga persona pjesëmarrës në krijimin e politikave publike, parti politike, si dhe verifikime të përmbushjes së premtimeve parazgjedhore të partive politike. Puna e Vërtetmatësit ishte veçanërisht e rëndësishme dhe gjithëpërfshirëse në përmbajtjen e verifikimit të fakteve të shpërndara në rrjetet sociale, veçanërisht pasi shumica e dezinformatave shpërndahen dhe përhapen në këto platforma online”, tha Fondacioni Metamorfozis.

Edhe pse sasia e dezinformatave për dhe rreth luftës në Ukrainë është ulur gjatë 12 muajve të fundit, ajo ende përfaqëson temë të rëndësishme dezinformimi në vend, e cila shpesh shfrytëzohet nga qendrat e huaja të dezinformimit. Shpeshherë, thotë ‘Metamorfozis’, dezinformimi kombinohet me lloje të tjera kërcënimesh, me kapacitet për të shkaktuar dëme në botën reale dhe në mbarë shoqërinë e Maqedonisë së Veriut.

Ndër dezinformatat më të shpeshta në vend janë ato antivaksinuese, përhapja e të cilave në hapësirën online është konstante.

Në 12 muajt e fundit, Metamorfozis thotë se janë vërejtur dezinformata që përdoren për sulme ndaj Bashkimit Evropian, vendeve anëtare të BE-së, vendeve të tjera demokratike jashtë Evropës, si dhe institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare që janë themeli të drejtës ndërkombëtare, rendit politik dhe financiar.

“Ajo që na pret në muajt e ardhshëm janë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut, e cila, nga ana tjetër, do të sjellë një numër në rritje të dezinformatave dhe manipulimeve (si në çdo zgjedhje). Por publikimet e Fondacionit Metamorfozis janë të gatshme të punojnë në të gjitha faktet e rëndësishme gjatë zgjedhjeve në mënyrë që qytetarët të kenë informacion të saktë dhe në kohë se çfarë është dhe çfarë nuk është e vërtetë në prezantimet e kandidatëve për poste publike dhe njoftimet e partive politike”, thuhet në njoftimin e Fondacionit Metamorfozis.

Dita e parë Ndërkombëtare e Verifikimit të Fakteve u shënua nga Rrjeti Ndërkombëtar i Kontrollit të Fakteve në vitin 2016 për të festuar dhe nxjerrë në pah punën e verifikuesve të fakteve në mbarë botën dhe që atëherë është shënuar çdo vit. Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikimit të Fakteve filloi me vetëm një duzinë anëtarë dhe sot ka më shumë se 180 organizata në mbarë botën.