Fondacioni Metamorfozis me konkurs për çmimin vjetor “Ilija Zhupanoski” për luftën kundër dezinformatave

Fondacioni për internet dhe shoqëri Metamorfozis për herë të parë e ka shpallur Konkursin për çmimin vjetor “Ilija Zhupanoski” për gazetarë, organizatat qytetare ose individë që kanë kontribuar në trajtimin me dezinformatat ne vend, transmeton Portalb.mk.

Do të ndahen dy çmime vjetor në dy kategori: Punimi më i mirë gazetaresk, gjegjësisht profesional i përgatitur nga organizatat e shoqërisë civile dhe individët (verifikimi kompleks i fakteve, analiza e problemeve me dezinfomratet, punimet profesionale, storje hulumtuese dhe të ngjashme) dhe Përmbajtja multimediale edukative e përgatitur nga të rinjtë e moshës nga 18 deri në 28 vjeç, ku teknologjitë e informacionit dhe komunikimit janë përdorur në mënyrë kreative dhe inovative, për të arritur tek të rinjtë dhe për t’i edukuar ata për të forcuar rezistencën ndaj dezinformatave.

Të drejtë pjesëmarrjeje kanë të gjithë ata që kanë krijuar dhe publikuar material autorial (nga kategoritë nën A. dhe B. të shënuara në Konkurs) në një gazetë, në televizion ose në portale në internet gjatë periudhës nga dita e shpalljes së konkursit deri më 1 shtator 2024.

Në konkurs autorët mund të aplikojnë edhe me një seri përmbajtjesh të ndërlidhura, por që kanë të bëjnë me një temë konkrete. Me aplikimin në Konkurs, autori pranon që punimi i tij të ribotohet në Përmbledhjen e punimeve, e cila është një botim i veçantë elektronik, të cilën do ta përgatisë Metamorfozis, pas përfundimit të Konkursit.

Materialet e dorëzuara do të shqyrtohen nga një komision i përbërë nga përfaqësues relevantë të mediave dhe sferës publike.

Gjatë vlerësimit të materialeve, përparësi do t’u jepet atyre materialeve të cilat: I referohen dezinformatave që kanë kapacitet të lartë për të shkaktuar dëme në shoqëri; Ekspozojnë dezinformata që kanë të bëjnë me interesin e gjerë publik, gjegjësisht prekin një numër të madh të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut; I shtojnë njohuritë ose arrijnë në njohuri të reja për problemin e dukurisë së dezinformimit dhe ofrojnë zgjidhje për trajtimin e këtij problemi; dhe Kanë një qasje kreative, bashkëkohore, efektive dhe novatore në prezantimin e gjetjeve për publikun e gjerë.

Konkursi është i hapur deri më 1 shtator 2024.

Aplikimet duhet të dorëzohen në [email protected] me shënimin: Për çmimin vjetor “Ilija Zhupanoski” për gazetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe individët që kontribuojnë në përballjen me dezinformatat në vend.

Çmimi për kategorinë e parë “Punimi më i mirë gazetaresk, gjegjësisht profesional” është 3.000 euro në kundërvlerë në denarë. Çmimi për kategorinë e dytë “Përmbajtje multimediale edukative e përgatitur nga të rinjtë e moshës nga 18 deri në 28 vjeç,” është 1.000 euro në kundërvlerë në denarë.

Punonjësit e Fondacionit “Metamorfozis” nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në Konkurs. Gjithashtu, në Konkurs nuk kanë të drejtë të marrin pjesë as bashkëpunëtorët e jashtëm të “Metamorfozis” me materiale të cilat kanë qenë/janë përgatitur dhe publikuar në kuadër të projekteve që i realizon “Metamorfozis”.

Ilija Zhupanoski ishte aktivist shoqëror për demokraci dhe këshilltar i qeverisë për komunikime digjitale. Vdiq papritur në nëntor të vitit 2023 në moshën 41-vjeçare.

Ishte një nga themeluesit e konceptit të llogaridhënies dhe transparencës digjitale, i cili kontribuoi që Qeveria e Maqedonisë së Veriut të jetë e para në rajon për sa i përket transparencës dhe llogaridhënies proaktive që nga viti 2017. Ishte këshilltar për komunikime digjitale në kabinetet e Kryetarit të Qeverisë së RMV-së në periudhën 2017-2023 dhe luftëtar aktiv kundër dezinformatave dhe kundër sulmeve hibride dhe kibernetike ndaj demokracive në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Zhupanoski ishte gjithashtu anëtar i Këshillit drejtues të European Digital Diplomacy Exchange (EDDE), një rrjet ndërkombëtar i komunikuesve qeveritarë, qëllimi i të cilit është të rrisë kapacitetet kolektive për mbrojtjen më efikase të demokracive në kuadër të hapësirës digjitale të informacionit.

Paraprakisht, kishte arritje të rëndësishme në fushën e aktivizmit rinor, në kuadër të programit Arsimi Ekonomik për të Rinjtë (Junior Achievement), dhe ishte një nga themeluesit e Shoqatës Maqedonase të Debatit dhe Drejtor i Forumit Arsimor Rinor (FAR). Një pjesë të karrierës së tij ka punuar edhe në sektorin privat.