FNA: Vazhdojnë shkeljet në UT, për tre profesorë kërkojmë hetim për vepra të kundërligjshme akademike (Video)

Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA), sot përmes një konference për shtyp njoftoi se ka dorëzuar deri tek Inspektorati Shtetëror i Arsimit dy parashtresa për tre profesorë nga Universiteti i Tetovës (UT) për veprime të realizuara në kundërshtim me ligjin. FNA-ja kërkoi që politika, me theks të veçantë Bashkimi Demokratik për Integrim, siç thonë, të largojë duart nga ky universitet, pasi sipas tyre presionet për zgjedhjen e rektorit të fundit e dëshmuan këtë. Inspektorati Shtetëror i Arsimit për Portalb.mk thotë se kanë pranuar parashtresat dhe se për të njëjtat do veprohet. 

Parashtresa e parë e deponuar te Inspektorati Shtetëror i Arsimit, siç informoi drejtori i FNA-së, Blendi Hodai ka të bëje me anëtarësinë e kundërligjshme në Këshillin Nacional për Arsim të Lartë dhe Veprimtari Kërkimore-Shkencore fillimisht pro-Rektorit për Financa dhe Investime të Huaja, Faton Shabani dhe anëtarit të Senatit të këtij universiteti, Nderim Zeqiri.

“Të dy, janë pjesë e kësaj trupe shumë të rëndësishme në kundërshtim me nenin 42 të Ligjit për Arsim të Lartë i cili është i qartë dhe decid dhe thotë se anëtarë të kësaj trupe nuk mund të jenë persona të zgjedhur për Rektor, prorektor ose që janë pjesë e senatit të universitetit..”. Nuk mund të presim ngritje të cilësisë së Arsimit të Lartë nga dikush që se ka problem të shkelë ligjin, vetëm për të fituar pozita të caktuara”, tha Hodai.

Konferencë për shtyp nga Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA): Avancimet e kundërligjshme akademike në UT. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Konferencë për shtyp nga Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA): Avancimet e kundërligjshme akademike në UT. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Parashtresa e dytë ka të bëje me avancimin akademik të kundërligjshëm sipas hulumtimit të FNA-së në titullin docent të profesorit Agron Alili, në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore.

“Alili është avancuar në kundërshtim me nenin 166 të Ligjit për Arsim të Lartë i cili thotë se “me titullin mësimor – shkencor docent, mund të zgjidhet vetëm personi që ka realizuar mesatare së paku tetë për çdo cikël në veçanti”. Por përkundër kësaj mesatarja e profesorit Agron Alili në ciklin e parë ka qenë 6.7 ndërsa në ciklin e dytë 9.0”, tha Hodai.

Ai shtoi se këto nuk janë shkeljet e vetme ligjore dhe statutare, as avancimet e vetme në kundërshtim me Ligjin për Arsim të Lartë në Maqedoninë e Veriut.

“Për këtë arsye, kërkojmë që Inspektorati i Arsimit të jetë sa më efikas dhe të ndërmerr masa të menjëhershme fillimisht për parashtresat tona, më pas duke hetuar çdo titull akademik të fituar në rrethana të dyshimta, edhe atë jo vetëm në Universitetin e Tetovës”, tha Hodai.

Ai njoftoi se parashtresat deri tek Inspektorati i kanë dorëzuar ditën e premte (23 qershor), ndërsa deri tani nuk kanë marrë përgjigje për to. Për këtë, ai tha se kur Inspektorati është nën presion të mediave për raste të tilla, e kryen punën të cilën e ka detyrë.

Inspektorati: Do veprohet

Inspektorati Shtetëror i Arsimit për Portalb.mk thotë se kanë pranuar parashtresat dhe se për të njëjtat do veprohet.

“Parashtresat e dërguara nga Forumi për ndryshime në Arsim janë pranuar në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit. Për të njëjtat do të veprohet për çka do të njoftohet edhe parashtruesi në afatin e përcaktuar me ligj”, thanë nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.

Për këtë rast, Portalb.mk kërkoi prononcim edhe nga Universiteti i Tetovës, por deri në publikimin e këtij shkrimi, nga ky institucion nuk u përgjigjën.

Nga Forumi për Ndryshime në Arsim gjithashtu theksuan se janë të zhgënjyer me procedurën për zgjedhjen e rektorit të ri të UT-së, Jusuf Zejnelit dhe tërheqjen nga gara të tre kandidatëve të tjerë, dhe se për këtë institucionet si Ministria e Arsimit, Inspektorati Shtetëror i Arsimit dhe institucionet e hetuesisë ishin në gjumë.

“Partitë politike nuk e duan UT-në, as s’ja duan të mirën asaj, por ja duan të mirat financiare që burojnë nga ky institucion. Kjo vërtetohet me faktin që partia në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim ka kryer presione nga më të ndryshmet që në krye të UT-së të vendoset një person tërësisht i padenjë për të udhëhequr, i cili sipas hulumtimeve të FNA-së në “Google Scholar” rezulton që të mos ketë asnjë punim shkencor në revista kredibile ndërkombëtare, që është shkatërruese për UT-në. Jusuf Zejneli ka vetëm dy punime të publikuara në revistën grabitqare European Scientific Journal, e cila sipas Listës së Beallit njihet si “predator journal” ose revistë grabitqare, ndërsa punimet tjera i ka të publikuara në revista lokale pa asnjë kredibilitet akademik”, tha Hodai i cili kërkoi që politika t’i mbajë duart larg Universitetit të Tetovës.

Kujtojmë që javën e kaluar Jusuf Zejneli u zgjodh rektor i UT-së për periudhën 2023-26. Sipas statutit të UT-së, rektori e merr detyrën në fillim të vitit akademik. Zejneli ishte kandidat i vetëm në garë pasi tre kandidatët e tjerë u tërhoqën pasi siç thanë zgjedhjet ishin të kurdisura. Jusuf Zejneli u përfol si kandidat politik i BDI-së, për këtë reaguan organizatat civile dhe partitë politike që ky konkurs të anulohej, por nuk u anulua.

Ky konkurs ishte i dyti që u publikua në periudhë brenda dy javësh, konkursi paraprak u anulua për shkak se kishte kriter shtesë për kandidatët e interesuar. Konkretisht kërkohej që kandidatët e interesuar të kishin 15 vite përvojë pune, ky kriter nuk ishte i paraparë as në Ligjin për arsim të lartë as edhe në vetë Statutin e këtij universiteti, madje i njëjti ishte favorizues për dikë ndërsa diskriminues për disa të tjerë. Ky kriter nuk ishte i vendosur në ndonjë konkurs nga universitetet publike tjera . Kjo shkelje dhe shkelje të tjera u konstatuan edhe nga inspektimi i Inspektoratit Shtetëror të Arsimit në UT. Konkursi i ri nuk e përmbante këtë element.

Ky konkurs është dashur të përfundojë dy vite më parë. Por, konkursi në vitin 2021 nuk u shpall. Ushtrues detyre i rektorit u caktua Reshat Qaili, por ai në këtë detyrë për gjashtë muaj nuk shpalli konkurs për rektor. Më pas, në këtë detyrë në maj 2022 si u.d erdhi Vullnet Ahmeti i cili nuk shpalli konkursin brenda 30 ditëve të parapara si në ligj. Ndërsa së fundmi nëntorin e vitit 2022 në këtë detyrë si u.d erdhi Kushtrim Ahmeti– u.d rektori aktual i cili njëjtë nuk publikoi shpalljen për zgjedhjen e rektorit në afat prej 30 ditëve. Këto shkelje u konstatuan edhe nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.

Të gjitha detajet në lidhje me këtë rast i gjeni në artikujt e mëposhtëm.