Filozofja shqiptare Lea Ypi u bë pjesë e Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave
Lea Ypi, filozofja dhe autorja shqiptare me jehonë ndërkombëtare, është zgjedhur anëtare e Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave, një prej institucioneve më prestigjioze akademike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Portalb.mk.
Në një reagim publik, Ypi e cilësoi këtë si një nder të veçantë dhe u shpreh e lumtur për vlerësimin, duke theksuar se e prek veçanërisht fakti që bëhet pjesë e një komuniteti ku janë përfshirë shumë shkrimtarë dhe studiues, vepra e të cilëve ka ndikuar në formimin e saj intelektual.
Ajo vuri në pah edhe misionin historik të Akademisë, të themeluar në vitin 1780, e cila synon të avancojë artet dhe shkencat në shërbim të interesit, dinjitetit dhe lumturisë së një shoqërie të lirë e të pavarur.
Sipas Ypit, ky mision sot është më aktual dhe më i domosdoshëm se kurrë, në një kohë kur pavarësia politike dhe ekonomike e universiteteve, liria e mësimdhënies dhe e kërkimit shkencor, si dhe vetë roli i dijes në jetën publike, po përballen me sfida serioze, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara.
Ajo theksoi se zgjedhja në këtë akademi nuk përbën vetëm një vlerësim personal, por edhe një thirrje për të vazhduar mbrojtjen e vlerave të Iluminizmit dhe për të ndarë përgjegjësinë në përballjen me fanatizmin dhe dogmatizmin në çdo formë.