Lea Ypi për Portalb: Rritja në një sistem totalitar të mëson të jetosh mes kontradiktash dhe heshtjesh
Lea Ypi, një nga zërat më të rëndësishëm të mendimit kritik në Evropë, sot është një figurë e shquar në filozofinë botërore. Profesore në London School of Economics dhe autore e librit “Free”, i përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe i nderuar me çmime prestigjioze ndërkombëtare – ajo ka treguar se si një histori shqiptare mund të bëhet pjesë e debatit global. Së fundmi ajo ka publikuar edhe librin e saj të ri “Indignity” (Të Poshtëruar). Në një bisedë për Portalb.mk, Ypi ndalet te rrugëtimi i saj, sfidat e dyzimit mes Perëndimit dhe Ballkanit, dhe fuqia e filozofisë për të dhënë kuptim pyetjeve më të thella të jetës.
Portalb.mk: Filozofia shpesh shihet si një rrugë e ndërlikuar, abstrakte, madje edhe elitare. Çfarë ju tërhoqi fillimisht drejt saj? A ishte një thirrje e brendshme që erdhi në një moment të caktuar, apo një shtysë që e keni ndjerë qysh herët, që në realitetin ku u rritët?
Lea Ypi: Filozofia më tërhoqi fillimisht, sepse ishte mënyra më e mirë për të bërë pyetje që në jetën e përditshme mbeteshin pa përgjigje. Rritja në një sistem totalitar të mëson të jetosh mes kontradiktash dhe heshtjesh. Filozofia ishte gjuha ku ato kontradikta merrnin kuptim.
Portalb.mk: Ju ligjëroni në një nga universitetet më prestigjioze në botë, London School of Economics. Si e keni përjetuar këtë rrugëtim? A është më shumë krenari, presion, apo një përgjegjësi që mbart shtresime të ndryshme për shkak të prejardhjes suaj?
Lea Ypi: Rrugëtimi drejt LSE ka qenë i vështirë, me shumë sfida, sidomos të natyrës ekonomike. Nuk e shoh si arritje personale, por si përgjegjësi për të hedhur dritë mbi padrejtësitë që vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot.
Portalb.mk: Si akademike me rrënjë nga Ballkani në një hapësirë perëndimore, cilat kanë qenë sfidat më të mëdha që nuk duken nga jashtë, por që i ndjen thellë vetëm ai që e jeton këtë ndërthurje kulturash dhe perceptimesh?
Lea Ypi: Sfida më e madhe është ndjenja e përhershme e dyzimit: asnjëherë nuk i përkas plotësisht as Perëndimit, as Ballkanit. Ka një tension të brendshëm që herë të lodh, herë të pasuron. Është një përballje e vazhdueshme mes perceptimit të të tjerëve dhe përpjekjes për të qenë vetvetja.
Portalb.mk: Shumë të rinj sot shmangin filozofinë si “jo praktike” dhe e shohin më shumë si luks sesa si nevojë. Çfarë e bëri filozofinë joshëse për ju dhe si e shihni vlerën e saj sot, në një kohë ku mendimi i thellë shpesh i hap rrugë shpejtësisë së rrjeteve sociale?
Lea Ypi: Për mua filozofia është praktike sepse të mëson të jetosh me pyetje, t’i elaborosh ato e jo vetëm te kërkosh përgjigje të shpejta. Në një botë të dominuar nga rrjetet sociale, ajo është një strehë për mendimin kritik, një mjet për të kuptuar më mirë veten dhe shoqërinë.
Portalb.mk: Në përvojën tuaj personale dhe akademike, a ishte filozofia një mënyrë për të kuptuar më mirë vetveten, për të kuptuar Shqipërinë, apo për të kuptuar botën që nuk ju jepej tërësisht kur ishit fëmijë në Durrës?
Lea Ypi: Ishte mënyra për të bashkuar Shqipërinë e fëmijërisë dhe adoleshencës me botën e re ku u gjenda, një lloj ure lidhëse e fatit individual me atë kolektiv.

Portalb.mk: Libri juaj “Të lirë” ka pasur një rezonancë globale. A e kishit menduar ndonjëherë që një rrëfim kaq personal për Shqipërinë do të prekte kaq shumë njerëz në vende dhe kontekste tërësisht të ndryshme?
Lea Ypi: Jo, nuk e kisha menduar. Por reagimet vërtetojnë se ndjenja e kufizimit dhe kërkimi i lirisë janë impulse universale përtej përvojës së secilit.
Portalb.mk: Si arritët të balanconit rrëfimin personal me analizën filozofike në këtë libër? Ishte një proces i natyrshëm për ju, apo kishit momente ku njëra kërkonte të mbizotëronte mbi tjetrën?
Lea Ypi: Jeta ime ka qenë gjithmonë e ndërthurur me pyetje. Rrëfimi letrar e mban të lidhur me përvojën njerëzore. Analiza filozofike i jep qartësi, por është një proces i gjallë, sigurisht me vështirësitë dhe kënaqësitë përkatëse.
Portalb.mk: Në libër prekni idenë se liria ndryshon sipas sistemit ku jetohet, në diktaturë dhe në demokraci. Për ju sot, me gjithë përvojat që keni kaluar, çfarë është “liria” në kuptimin më të thellë?
Lea Ypi: Për mua sot liria nuk është as thjesht mungesa e shtypjes, as vetëm zgjedhja e lirë. Është mundësia për t’u zhvilluar si qenie njerëzore, me thelb moral, bashkë me të tjerët. Liria merr kuptim vetëm kur ndahet me te tjerët dhe kur nuk shihet si privilegj individual.
Portalb.mk: Si pedagoge e filozofisë politike, cili është mesazhi më i rëndësishëm që përpiqeni t’ua përcillni studentëve tuaj?
Lea Ypi: Të mos kenë frikë nga pyetjet themelore. Filozofia nuk është një disiplinë e mbyllur, por një kërkim i vazhdueshëm që prek politikën, shoqërinë, artin, jetën e përditshme. Të mendosh në mënyrë kritike është e domosdoshme, gjithashtu edhe të dish të dyshosh, edhe veten.

Portalb.mk: Jeni përfshirë në listën e 50 mendimtarëve më me ndikim në botë, një vlerësim i rrallë për një akademike me prejardhje nga Shqipëria. Çfarë përfaqëson ky vlerësim për ju në nivel personal dhe intelektual?
Lea Ypi: Jam e lumtur për vlerësimin, por shpesh listat e arritjeve individuale nuk e përçojnë dot faktin qe këto arritje janë fryt i dialogut me të tjerët.
Portalb.mk: Si anëtarja e parë shqiptare në Akademinë Britanike, mbani mbi supe jo vetëm emrin tuaj, por edhe një përfaqësim të padukshëm të një vendi të vogël. Cilat janë përgjegjësitë që ndjeni në këtë pozitë?
Lea Ypi: Anëtarësimi në Akademinë Britanike përfaqëson jo vetëm emrin tim, por edhe historinë e një vendi të vogël që shpesh ka mbetur jashtë hartave intelektuale. Është një ftesë për të sjellë zëra të rinj në një hapësirë të themeluar prej kohësh.
Portalb.mk: Keni publikuar së fundmi librin tuaj të ri. A mund të na flisni pak rreth kësaj vepre? A është një vazhdim i “Free” në një nivel më filozofik, apo një projekt që ndjek një trajektore tërësisht të re në punën dhe mendimin tuaj?
Lea Ypi: “Të poshtëruar” është një reflektim filozofik, historik dhe letrar mbi integritetin dhe dinjitetin në botën e sotme ne përballje me te shkuarën. Nuk është një vazhdim i drejtpërdrejtë i “Free”, por dialogon me të në kuptimin e zhvillimit të mëtejshëm të idesë së lirisë morale në qendër të Free. Shtron gjithashtu pyetje të reja, si për shembull qasja ndaj të kaluarës kur tragjeditë e saj rrezikojnë të përsëriten.