Filipçe: Qeveria premtoi përparim në rrugën evropiane, por solli izolim

Kryetar i LSDM-së, Venko Filipçe, në një konferencë për media akuzoi VMRO-DPMNE-në se kanë premtuar një të ardhme evropiane dhe për dy vjet qeverisje ata vendit i sollën vetëm izolim, transmeton Portalb.mk.

Filipçe theksoi se pas dy viteve qeverisje të VMRO-DPMNE-së, në vend të përparimit në integrimin evropian dhe reformave, vendi është bllokuar plotësisht.

 “Çfarë premtuan ata për të ardhmen evropiane të vendit? Citoj: Përpjekje maksimale për të arritur përparim të vërtetë të dukshëm në proceset e integrimit evropian dhe anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian. Diametralisht e kundërta me deklaratat aktuale të kryeministrit. Për më tepër, zbatim i vonuar i ndryshimeve kushtetuese, zbatim i shpejtë dhe me cilësi të lartë i proceseve reformuese dhe përshtatje e plotë me legjislacionin evropian. Ata nuk kanë përmbushur asgjë nga këto”, tha Filipçe.  

Filipçe theksoi se realiteti sot është i kundërt me gjithçka që premtoi VMRO, sepse nuk ka reforma, dhe ligjet që po miratohen nuk janë në përputhje me standardet evropiane. 

“Nuk ka reforma, ka ligje që miratohen në Parlament, të cilat nuk janë në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe Evropa po i kthen mbrapsht. Natyrisht, ata njerëz nuk janë naivë”, u shpreh Filipçe.  

Kryetari i LSDM-së theksoi se me politika të tilla, Qeveria po e largon vendin nga perspektiva evropiane dhe po e çon atë në një izolim gjithnjë e më të thellë. 

“Rruga evropiane është bllokuar plotësisht. Hristijan Mickoski po e çon vendin në izolim, ndërsa rajoni po ecën përpara. Dhe ai del dhe thotë se nuk do të lëvizim asnjë hap, po ua lëmë problemet fëmijëve t’i zgjidhin”, tha Filipçe. 

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.