“Shame and Money” i Visar Morinës në Karlovy Vary, me aktorë edhe nga Maqedonia e Veriut

Filmi “Shame and Money”, me regji të regjisorit kosovar Visar Morina, do të shfaqet zyrtarisht në edicionin e sivjetmë të Karlovy Vary International Film Festival, një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në Evropën Qendrore, shkruan Portalb.mk.

Përzgjedhja në Karlovy Vary vjen pas suksesit të jashtëzakonshëm që filmi shënoi në skenën ndërkombëtare, ku pati premierën botërore në Sundance Film Festival dhe u shpërblye me çmimin prestigjioz “World Cinema Grand Jury Prize: Dramatic”.

“Shame and Money” sjell një rrëfim të ndjeshëm social për një familje nga Kosova, e cila përballet me varfërinë, pabarazinë dhe sfidën për ta ruajtur dinjitetin në rrethana të vështira. Në qendër të historisë janë Shabani dhe Hatixhja, të interpretuar nga Astrit Kabashi dhe Flonja Kodheli, të cilët detyrohen të braktisin jetën në fshat për të nisur një kapitull të ri në kryeqytet.

Filmi është bashkëprodhim ndërmjet Kosovës, Gjermanisë, Sllovenisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Belgjikës. Në kastin e tij luajnë edhe aktorët nga Maqedonia e Veriut, Teuta Hajdini dhe Refet Abazi, duke i dhënë projektit një dimension edhe më të gjerë rajonal. Skenari është shkruar nga Visar Morina në bashkëpunim me Doruntina Bashën.