Digjitalizimi dhe siguria kibernetike në qendër të konferencës ndërkombëtare në Shkup

Digjitalizimi, infrastruktura e komunikimit dhe siguria kibernetike ishin ndër temat kryesore të konferencës ndërkombëtare për transmetimin publik radiodifuziv që u mbajt në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Në hapjen e konferencës, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, foli për lidhjen ndërmjet procesit të integrimit evropian dhe zhvillimit të infrastrukturës digjitale. Ai përmendi teknologjinë 5G, lidhjen në rrjet, shërbimet cloud, sigurinë kibernetike dhe efikasitetin energjetik si fusha me zhvillime të rëndësishme në sektorin e komunikimeve.

Sipas tij, përveç reformave ligjore dhe politike, procesi i integrimit evropian kërkon edhe zhvillim të infrastrukturës digjitale dhe sistemeve të komunikimit. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes së infrastrukturës kritike dhe sigurisë së rrjeteve të telekomunikacionit.

Ai iu referua edhe përdorimit të inteligjencës artificiale dhe shërbimeve cloud në fushën e radiodifuzionit dhe komunikimeve.

Zëvendësministri për Transformim Digjital, Radosllav Nastasieviq-Varxhiski, tha se lidhshmëria, radiodifuzioni dhe shërbimet digjitale janë pjesë e rëndësishme e funksionimit të ekonomive dhe shoqërive moderne. Ai shtoi se infrastruktura e komunikimit ka rol në funksionimin e institucioneve dhe jetës së përditshme.

Sipas tij, ministria po zhvillon aktivitete në fushën e planifikimit strategjik, përmirësimit të shërbimeve digjitale, ndërveprimit të sistemeve dhe përafrimit me rregulloret evropiane.

Ai theksoi se zhvillimi i mëtejshëm i sektorit varet nga bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe partnerëve teknologjikë, si dhe nga politikat dhe koordinimi institucional.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike Radiodifuzioni Kombëtar, Jusuf Sopi, foli për rolin e radiodifuzionit në komunikimin publik dhe zhvillimin e teknologjive të transmetimit. Ai përmendi zhvillimin historik të radios, televizionit, teknologjive satelitore dhe internetit.

Sipas tij, këto teknologji kanë mundësuar shkëmbim më të shpejtë të informacionit dhe kanë ulur barrierat gjeografike. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e besimit në komunikimin mediatik dhe rolin e faktorit njerëzor.

Kryetari i Shoqatës MBT, Mihael Jançiq, tha se radiodifuzioni përfshin jo vetëm transmetimin e përmbajtjes, por edhe ndërtimin e sistemeve të komunikimit për përdorim publik, veçanërisht në situata emergjente.

Ai përmendi bashkëpunimin e institucioneve në nivel rajonal dhe ndërkombëtar përmes anëtarësimeve në organizata profesionale.

Në konferencë u diskutuan tema që lidhen me transformimin digjital të mediave, shërbimin publik dhe standardet profesionale në sektorin e radiodifuzionit.

Konferenca mbledh përfaqësues të radiodifuzerëve, institucioneve dhe industrisë teknike për shkëmbim përvojash dhe diskutim mbi zhvillimet në fushën e transmetimit publik.

Konferenca ndërkombëtare e NP Radiodifuzioni publik, u mbajt nga 1 deri më 3 qershor në hotelin Holiday Inn në Shkup.