Festa e Abetares në skenën e Teatrit Shqiptar, një kujtim i paharrueshëm për nxënësit e klasës së parë
Në skenën e Teatrit Shqiptar në Shkup u zhvillua një ngjarje e veçantë, e mbushur me emocion, buzëqeshje dhe atmosferë festive. Për herë të parë, Festa e Abetares u organizua në një hapësirë teatrore, duke e kthyer këtë manifestim të bukur shkollor në një përjetim të veçantë artistik, edukativ dhe kulturor, shkruan Portalb.mk.
Nxënësit e klasës I-3 të shkollës fillore “Petar Zdravkovski Penko” në Shkup, nën drejtimin dhe përkujdesjen e mësueses Hatixhe Topalli, sollën para prindërve, familjarëve dhe të ftuarve një program festiv të përgatitur me shumë dashuri. Me recitime, këngë, valle dhe pika të ndryshme artistike, fëmijët dëshmuan jo vetëm atë që kishin mësuar gjatë vitit shkollor, por edhe guximin, vetëbesimin dhe gëzimin e tyre në skenë. Ky manifestim, që tradicionalisht zhvillohet në ambientet e shkollës, këtë herë mori një dimension krejt tjetër. Falë vizionit, përkushtimit dhe angazhimit të mësueses Hatixhe Topalli, shkronjat, kënga dhe bota e bukur fëmijërore u ngjitën në skenën e madhe të Teatrit Shqiptar, duke krijuar një atmosferë të paharrueshme për të gjithë të pranishmit.

Në një prononcim për Portalb.mk, mësuesja Hatixhe Topalli tha se Festa e Abetares për të nuk është thjesht një aktivitet shkollor, por pjesë e pandashme e jetës dhe misionit të saj si mësuese.
“Festa e Abetares për mua nuk është thjesht një aktivitet shkollor, por një pjesë e pandashme e jetës dhe misionit tim si mësuese. Jam ndër mësueset e para në Maqedoni që kam filluar organizimin e kësaj feste tash e gati tri dekada më parë, që nga fillimet e mia në arsim në shkollën fillore ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’”, tha Topalli.
Ajo kujtoi se në atë kohë kushtet në shkolla nuk ishin të lehta dhe se organizimet realizoheshin me shumë përkushtim, kreativitet dhe punë personale.
“Nuk kishte rrjete sociale, nuk kishte ide të gatshme apo mundësi të shumta organizimi. Gjithçka ndërtohej me shumë përkushtim, me hulumtime në libra, me kreativitet dhe me ide të krijuara nga vetë unë. Çdo gjeneratë sillte diçka të re, një frymë tjetër, një organizim më të veçantë dhe më kreativ”, theksoi ajo.
Këtë traditë, mësuesja Topalli e vazhdoi edhe në shkollën ku punon sot, SH.F.K. “Petar Zdravkovski Penko”. Fillimisht Festa e Abetares u organizua në klasë, më pas në hollet e shkollës, më vonë në qendrën e fëmijëve “KIDS”, në Teatrin për Fëmijë në Shkup, ndërsa këtë vit u realizua në Teatrin Shqiptar në Shkup.
“Edhe pse kjo gjeneratë ishte me moshë pak më të vogël, guximi, vetëbesimi dhe paraqitja e tyre në skenë lanë pa fjalë të gjithë të pranishmit. Salla ishte e mbushur me shikues, emocione dhe lot gëzimi. Ishte një atmosferë që do të mbetet gjatë në kujtesën e secilit”, tha Topalli.
Ajo shtoi se ndihet jashtëzakonisht krenare që nxënësit, për një kohë relativisht të shkurtër, arritën të paraqiten me aq sukses në një skenë kaq të madhe.
“Për mua, suksesi më i madh mbetet buzëqeshja, guximi dhe lumturia e fëmijëve në ato momente të paharrueshme”, u shpreh mësuesja Hatixhe Topalli.

Festa e Abetares shënon një nga momentet më të rëndësishme për nxënësit e klasës së parë, sepse simbolizon përfundimin e mësimit të shkronjave dhe hapjen e një kapitulli të ri në rrugëtimin e tyre drejt dijes. Organizimi në një skenë teatrore e bëri këtë ditë edhe më të veçantë për fëmijët, të cilët përjetuan emocionin e paraqitjes para publikut dhe krenarinë e suksesit të tyre të parë shkollor.
Programi u prit me duartrokitje të shumta dhe emocione të veçanta nga prindërit dhe publiku. Në çdo recitim, këngë dhe vallëzim u pa gëzimi i fëmijëve, përkushtimi i mësueses dhe mbështetja e familjeve, duke e kthyer këtë ngjarje në një shembull të bukur të lidhjes mes arsimit, kulturës dhe artit.
Mësuesja Hatixhe Topalli njihet për përkushtimin e saj në arsim dhe për qasjen kreative në punën me nxënësit. Përmes organizimeve të tilla, ajo ndër vite ka arritur ta shndërrojë Festën e Abetares në një traditë të bukur me vlera edukative, artistike dhe emocionale.
Ky organizim nuk ishte vetëm një festë shkollore. Ishte një kujtim i paharrueshëm për fëmijët në hapat e tyre të parë drejt dijes. Në skenën e Teatrit Shqiptar, Abetarja u kthye në festë, shkronjat në emocion, ndërsa fëmijët në protagonistët më të bukur të ditës.