Në Tetovë u dha premiera e shfaqjes “Terapia” nga Sulë Rushiti Korbi
Mbrëmë, në Sallën e Fakultetit të Arteve në Tetovë, publiku artdashës pati mundësinë të ndjekë premierën e shfaqjes teatrore “Terapia”, një projekt i Shoqatës Kulturore “EUNEUM”, me autor dhe regjisor Sulë Rushiti Korbi, shkruan Portalb.mk.
Në fjalën e tij përshëndetëse para publikut, regjisori Rushiti theksoi se “Terapia” është një tekst autorial i tij, i ndërtuar si një kërkim artistik dhe skenik mbi mënyrën se si rrëfehet dhe përjetohet teatri sot.
Sipas tij, vepra përfaqëson një eksperiment në aspektin dramaturgjik dhe skenik, duke eksploruar marrëdhënie të reja mes fjalës, heshtjes, trupit dhe hapësirës skenike.
“Në thelb, ‘Terapia’ është një eksperiment me formën dhe me një qasje më ndryshe ndaj përmbajtjes. Ajo nuk ndërtohet mbi narracionin klasik linear, por kërkon të krijojë një përvojë emocionale dhe mendore, ku publiku nuk është vetëm vëzhgues, por edhe pjesë e tensionit të brendshëm që zhvillohet në skenë”, u shpreh regjisori Sulë Rushiti Korbi.

Ai shtoi se “Terapia” nuk synon të jetë teatër eksperimental në kuptimin tradicional të termit, por një përpjekje për ta kërkuar teatrin ndryshe dhe për të hapur mundësi të reja komunikimi mes aktorit, tekstit dhe publikut.
“Terapia nuk është teatër eksperimental, por një eksperiment teatror që synon ta ruajë poetikën teatrore dhe katarzën përmes formave të reja”, theksoi Rushiti.
Në skenë interpretuan aktorët Linda Shabani dhe Abdulla Osmani, të cilët sollën para publikut një performancë të ndërtuar me përkushtim, pasion dhe angazhim të lartë artistik.
Pas premierës së mbrëmshme, shfaqja “Terapia” do të vijojë edhe me reprizën, e cila do të jepet nesër, më 24 maj 2026, me fillim nga ora 20:00, në Sallën e Fakultetit të Arteve në Tetovë.
Organizatorët ftojnë publikun artdashës që të jetë i pranishëm dhe ta ndjekë këtë projekt teatror, i cili sjell në skenën tetovare një tjetër ngjarje të rëndësishme kulturore, të realizuar me pasion, përkushtim dhe vizion artistik.
