Sonte në skenën e Operës dhe Baletit Nacional do të vihet në skenë drama muzikore “Rigoleto” nga Xhuzepe Verdi

Sonte (10 tetor), me fillim nga ora 20:00, në skenën e Operës dhe Baletit Nacional në Shkup, do të shfaqet një nga dramat muzikore më të bukura në letërsinë operistike “Rigoleto” nga Xhuzepe Verdi, shkruan Portalb.mk.

“Rigoleto” është një dramë për jetën njerëzore, e cila në mënyrë të qartë, të fuqishme dhe emocionale pasqyron tiparet negative të fshehura tek njerëzit, tipare që shtypin dashurinë, lirinë, gëzimin…Është një histori tragjike për xhelozinë, hakmarrjen dhe sakrificën. E bazuar në dramën e Viktor Hugo-s “Mbreti argëtohet”, “Rigoleto” si operë rrëfehet me një gjuhë muzikore të gjallë dhe tërheqëse. Suksesi i saj i qëndrueshëm ndër vite nuk lidhet vetëm me subjektin dramatik apo tragjedinë e personazhit kryesor, por mbi të gjitha me ariet e mrekullueshme ndër to edhe “La Donna è mobile” dhe me bukurinë e strukturës melodike që e karakterizon këtë vepër të pavdekshme.

Dirigjent do të jetë Xhanlluka Martinengi nga Italia, regjia është nën drejtimin e Pier Françesko Maestrini (Itali), skenografia nga Guillermo Nova nga Spanja, kostumografia nga Kristina Aceti (Itali), ndërsa koreografe është Sasha Evtimova. Koncert-maestër do të jetë Kliment Todoroski, dhe udhëheqëset e korit janë Jasmina Gjorgjeska dhe Gjurgjica Dashiq.

Foto nga drama muzikore “Rigoleto”. Foto: OBN
Foto nga drama muzikore “Rigoleto”. Foto: OBN

Rolin kryesor (Rigoleto) do ta interpretojë tenori mysafir nga Koreja e Jugut, Leon Kim. Në rolin e Xhildës do të paraqitet Biljana Josifov, ndërsa rolin e Dukës së Mantovës do ta luajë Çuan Vang nga Kina, në rolin e Sparafuçill do të shfaqet Vladimir Sazdovski.

Në rolet e tjera do të marrin pjesë: Nikolina Janevska, Borko Bixhovski, Dragan Ampov, Jane Dunimagloski, Aleksandra Lazarovska Vasilevski, Dime Petrov, Marika Popoviq, dhe Desanka Gligorijeviq, së bashku me korin, orkestrën dhe ansamblin e baletit të Operës dhe Baletit Nacional.

Foto nga drama muzikore “Rigoleto”. Foto: OBN
Foto nga drama muzikore “Rigoleto”. Foto: OBN