Lot dhe falënderime përtej dhimbjes, familja e Agan Asanit e falënderoi publikisht David Dokmanoviqin për gjestin e tij (VIDEO)
Futbollisti i ri, David Dokmanoviq nga fshati Umin Doll i Kumanovës u vizitua nga familjarët e të ndjerit Agan Asani, i cili kishte ndërruar jetë ditë më parë. Dokmanoviq, një ditë pas tragjedisë, ia dedikoi një gol bashkëmoshatarit të tij tashmë të ndjerë, Agan Asani, duke treguar një fanellë me mbishkrimin “Rest in Peace Agan Asani” (Pusho i qetë, Agan Asani), shkruan Open-TV, transmeton Portalb.mk.
Për t’i shprehur falënderim për këtë gjest human dhe sportiv, familjarët e të ndjerit Agan Asani nga fshati fqinj Çerkez vizituan familjen e Dokmanoviqit, për t’i falënderuar për këtë gjest të djalit të tyre.

Kujtojmë se futbollisti 13-vjeçar Agan Asani e humbi jetën pas një aksidenti trafiku. Ai kishte vozitur trotinet elektrik kurse një veturë e kishte përlasur atë. Asani u transportua në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës, ku mjekët konstatuan vdekjen e tij.