Ndërroi jetë futbollisti 13-vjeçar nga Kumanova, pasi u godit nga një makinë derisa ishte me trotinet
Ka ndërruar 13-vjeçari, Agan Asani, nga fshati Çerkez i Kumanovës. Ai ishte futbollist i klubit KF Kumanova. Lajmin për ikjen e tij, e bëri të ditur trajneri i tij, Ismet Zeqiri, përmes një postimi në Facebook. Asani ishte talent i ri premtues dhe ishte shumë i dashur nga bashkëlojtarët dhe stafi teknik, transmeton Portalb.mk.
Zeqiri shprehu ngushëllim për humbjen e futbollistit të ri.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të lojtarit tonë 13-vjeçar, Agan Asani. Humbja e tij na ka prekur thellë si klub, duke lënë dhimbje të madhe te bashkëlojtarët, trajnerët dhe gjithë familja e KF Kumanova”, ka shkruar Zeqiri.
Ai vdiq pas një aksidenti trafiku. Sipas MPB-së në aksident ishin përfshirë një automjet “Mercedes” me targa të Kumanovës i drejtuar nga F.S. (24), dhe nje trotinet elektrik i drejtuar nga një i mitur 13-vjeçar.
Si pasojë i përplasjes, Asani është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm te Kumanovës, ku mjekët konstatuan vdekjen e tij.
Drejtuesi i automjetit është privuar nga liria në Stacionin Policor të Kumanovës. Në vendin e ngjarjes kanë dalë Prokurori Publik dhe dhe ekipi i SPB Kumanovë, të cilët kanë kryer ekspertizën dhe pritet të nisin hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.