Europa është mozaik kulturash, gjuhësh dhe kombesh. Sipas Milan Kunderës, ajo është “larmi maksimale në hapësirë të vogël”. Në këtë mozaik bën pjesë edhe kultura shqiptare.
Qytetërimi europian ka krijuar vlera të përbotshme, por njëkohësisht ka përthithur edhe vlera nga qytetërimet tjera.
Kur flitet për përplasje qytetërimesh, harrohet fakti se qytetërimet, si tërësi e arritjeve shoqërore, kulturore dhe materiale, nuk janë tërësi homogjene. Në çdo qytetërim ka gjurmë të pashlyeshme nga qytetërimet e lashta. Çdo qytetërim u pasurua në ndërveprim. Prandaj duhet të tregojmë respekt për vlerat e çdo qytetërimi.
Gjurmët e lashtësisë në Europë janë ruajtur nëpërmjet veprave artistike e filozofike, monumenteve antike, pallateve mbretërore, parlamenteve, kështjellave dhe altareve.
Në Europën me male, fusha, dete, ishuj, liqene, lumenj dhe ujëvara; me muze, teatro, biblioteka, universitete, institute dhe vende argëtimi; ku u krijuan kryevepra artistike dhe lindën shpikje të mëdha, u zhvilluan edhe luftëra lokale, rajonale dhe dy luftëra botërore, që mbeten njolla në ndërgjegjen e saj.
UTOPIA PËR PAQEN E PËRJETSHME. Lufta në Ukrainë i ka trazuar liderët europianë, të cilët nuk duan të jenë në paradhomën e negociatave, pra në pozitën e vëzhguesit, përderisa lufta ndodh në oborrin e tyre.
Shumë liderë, që besuan se në Europën Perëndimore do të mbizotëronte paqja e përjetshme, sot shohin një Europë të trazuar. Krahas luftës në Ukrainë, ajo përballet edhe me rreziqe të tjera, siç janë: ekstremizmi, populizmi, dobësia ushtarake dhe varësia energjetike. Ka edhe rajone potencialisht shpërthyese, siç është Ballkani.
Pas luftës në Ukrainë dhe një rendi të ri botëror në horizont, Europa duhet të përshtatet me rrethanat e reja: të fuqizohet dhe të bashkohet në planin politik, ekonomik dhe në çështjet e sigurisë.
Konrad Adenaueri paralajmëroi në vitin 1956 se Europa duhej të mbrohej dhe t’u përshtatej kushteve të reja, për sa kohë historia kishte dëshmuar se qytetërimet janë të shkatërrueshme.
A do të tregojë Europa sërish urtësi ndaj sfidave gjeopolitike, siç ka treguar përherë?
ZYRTARËT DHE ZËRI I MEKUR I GJENIUT. Në Europën e sotme, përveç zërit të zyrtarëve, duhet të dëgjohet edhe zëri i mendimtarëve, të cilët paralajmëruan atë që po ndodh tani.
Adam Michnik-u paralajmëroi se rreziku më i madh për demokracinë dhe për Europën ishte Putini, të cilin e krahasoi me Corleone-n.
Michnik-u nuk u pajtua as me metodat europiane për zbutjen e Putinit, i cili, pasi e pushtoi dhe e aneksoi Krimenë, ia drejtoi armët Ukrainës, sepse “aventurizmin dhe teprimin e ka stil jetese”.
Poeti polak Adam Zagajewski kërkoi që fjalën kryesore në Europë ta kishin jo vetëm politikanët, por edhe shkrimtarët e mendimtarët, sepse “Europa është veprim racional i ndërmarrë në prani të ëndrrave”.
Sipas vizionit të tij, Europa duhej të ishte më solidare, më e hapur dhe mbikombëtare; të mos i harronte rrënjët dhe gjeniun krijues; ta përjashtonte ksenofobinë, nacionalizmin dhe anët e errëta të kapitalizmit; të mos orientohej vetëm drejt teknologjisë dhe ekonomisë, por të kishte nevojë edhe për Montaigne-in dhe Pascal-in, pra për përmasën shpirtërore. Qytetari europian duhej të besonte tek Europa; ta kujtonte pjesën madhështore dhe të tmerrshme të historisë europiane; të çlirohej nga mendjemadhësia dhe arroganca; të mos ishte shumë optimist për të ardhmen e politikës së jashtme europiane; të lexonte poezi, filozofi, teologji, romane serioze, histori dhe të dëgjonte muzikë, sepse “demokracia ka nevojë për ndihmë, për një zë që vjen nga një shtresë më e thellë e realitetit”.
Sipas tij, qytetari europian i “Europës së vjetër dhe të pasur” s’duhej të mbante qëndrim patronizues ndaj europianëve “të rinj” dhe më të varfër, kurse qytetari nga Europa “e re” duhej të ishte i vetëdijshëm se, përveç privilegjeve, ka edhe përgjegjësi.
Sot, më shumë sesa mendimtarët e shquar europianë, dëgjohen zyrtarët e hutuar. Ndër viset tona flasin më shumë ata që nuk i njohin vlerat themelore të qytetërimit europian dhe nuk i dinë burimet e tij.
Për shkakun e formalistëve, që përsërisin klishe protokollare, Europa sot përjeton krizë. Por ajo ka fuqi të fshehur shpirtërore, krahas fuqisë ekonomike e teknologjike.
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier-i, tha se Europa duhet të vetëdijesohet dhe të bëjë sakrifica për forcën dhe vlerat e saj, siç janë: liria, dinjiteti njerëzor, paqja dhe vetëvendosja demokratike.
EUROPA E EPOKËS POSTKONFLIKTUALE. Duke folur për Europën në epokën postkonfliktuale, historiani gjerman Egon Flaig, në një intervistë për gazetën zvicerane Neue Zürcher Zeitung, e kritikon qasjen pasive të europianëve ndaj sigurisë. Ai thotë se qytetarët e vendeve europiane e kanë humbur ndjenjën e ndërgjegjësimit republikan.
“Me mentalitet skllavi nuk mbrohet demokracia”, thotë Flaig-u dhe shton se të rinjtë europianë s’duan ta mbrojnë vendin e tyre, sepse janë rritur në sferën e moskokëçarjes: si individë të thjeshtë privatë dhe pa detyra ndaj bashkësisë.
Flaig-u e kritikon ndikimin e së majtës së re dhe globalizmit, sepse, sipas tij, e kanë dobësuar shtetin kombëtar dhe kufijtë. Ai kërkon që Europa, krahas shumëllojshmërisë etnike, ta pranojë edhe shumëllojshmërinë ideologjike, kurse nga qytetarët e saj kërkon të jenë më aktiv në proceset demokratike, ashtu si në Zvicër, ku solidariteti ligjor kapërcen dallimet fetare, etnike e gjuhësore.
EUROPA SI ATDHE SHPIRTËROR. Çdo europian, pavarësisht nëse shteti i tij është pjesë e BE-së ose jo, duhet të shqetësohet për fatin e Europës. Veçanërisht shqiptarët, sepse përvoja historike ka dëshmuar se kur ata u harruan ose u larguan nga Europa, përjetuan tragjedi të mëdha.
Europa nuk është vetëm Brukseli me zyrtarët që përsëritin refrenet e njëjta, krijojnë piramida me letra që pakkush i lexon dhe merren me kauza pa ndikim për të ardhmen e saj. Europa është ëndërr e përhershme. Është mendim dhe vizion i lartësuar dhe i shenjtëruar. Është libër i krijuar nga gjenitë e saj. Është atdheu i kryeveprave filozofike, letrare, pamore e muzikore të krijuara nën presionin e shekujve.
Kush e njeh dhe e vlerëson këtë pasuri të vlefshme dhe të pavdekshme, ka detyrim moral ta mbrojë, ta afirmojë dhe ta kultivojë po këtë pasuri.
Jam rritur me ëndrrën europiane dhe jam formuar me veprat e gjenive të saj. Kush ëndërron shumë, mund të zhgënjehet thellë. Veçmas kur e sheh të lodhur atdheun shpirtëror, Europën.
Si njeri që u gëzohem sukseseve dhe zhgënjehem nga disfatat e Europës, kam të drejtë t’i kritikoj prijësit që ende i shohin “periferitë” me përçmim. Atyre u themi: Hapni portat e BE-së edhe për shtetet e Europës Juglindore! Mos e shikoni si botë të vonuar në kohë dhe mos krijoni vonesa të reja! Europa është atdheu shpirtëror e kulturor edhe i këtyre popujve.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.