Në farmacitë e insulinës ka mungesë të Ozempikut, ndërsa në ato privatet shitet për rënie në peshë

Pas paralajmërimeve të vazhdueshme për mungesë të barnave për trajtimin e diabetit, pacientët me këtë sëmundje kronike tani po reagojnë ndaj mungesës së medikamentit Ozempik, emri gjenerik i të cilit është Semaglutide. Ky medikament e zvogëlon rrezikun e komplikacioneve kardiovaskulare tek pacientët me diabet të tipit 2, të cilët sipas Ministrisë së Shëndetësisë në vendin tonë janë rreth 136.000 persona, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Ozempik është një tretje ​​për injektim e mbushur në një injeksion në formë stilolapsi – shpjegojnë nga Аgjencia e Barnave dhe Pajisjeve  Mjekësore (MALMED) për Radion Evropa e Lirë. Aplikimi i tij është pa dhimbje dhe i ngjashëm me aplikimin e insulinës.

Ky medikament është falas në farmacitë e insulinës në Maqedoninë e Veriut për personat me diabet të tipit 2 dhe është i domosdoshëm për ta sepse i parandalon komplikacionet kardiovaskulare dhe e redukton nevojën për hospitalizim.

Përvoja e një pacienti nga Velesi

Nëse nuk përdoret Ozempik për trajtimin e sëmundjes kjo mund ta përkeqësojë shëndetin tashmë të brishtë të pacientëve, siç tregon përvoja e pak kohëve më parë e Dime Velevit, i cili është edhe kryetar i Unionit të shoqatave të personave me diabet.

Vitin e kaluar ai nuk mundi të siguronte Ozempik tre muaj dhe në nëntor për shkak të një arterie të bllokuar atij iu desh të bënte një koronarografi.

“Kisha shtresim të yndyrës dhe nivel të lartë të sheqerit në gjak, por unë dhe mjekët reaguam në kohë me terapi shtesë dhe analiza biokimike. Më ndante një hap nga vendosja e një stenti”, shtoi Velevi.

Muajin në vijim ai ia doli mbanë ta siguronte terapinë nga farmacia e insulinës në vendlindjen e tij Veles, por pohon se ky medikament për momentin nuk është i disponueshëm për rreth 400-500 pacientë.

Velevi reagon se mjekimi i tyre është si “ruleti rus“ dhe asnjëherë nuk mund ta dini nëse farmacia e insulinës do të ketë furnizime të mjaftueshme.

“Nëse një farmaci në një qytet duhet të ketë terapi për 50 pacientë, atyre u shpërndahen sipas listave të vjetra, për shembull, për 43 persona. Kështu që çdo muaj ndryshon ajo se cilët shtatë pacientë nuk do të marrin terapi antidiabetike për t’i parandaluar komplikimet”, shton ky banor i Velesit.

Shpjegimi që ai dhe pacientët e tjerë e kanë marrë nga autoritetet shëndetësore është se ky medikament është blerë në sasi të mjaftueshme, por se nuk është shpërndarë “për shkak të një problemi teknik”.

Nga Мinistria e Shëndetësisë nuk u përgjigjën në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me shkakun e mungesës së tij. Por, nga atje theksojnë se kanë siguruar sasi të medikamentit për 1.800 pacientë.

– Me prokurimin e ri publik për vitet 2025-2027 sasia për këtë medikament është rritur për 400 pacientë më shumë se prokurimi i mëparshëm publik kur ishin siguruar sasi për 1.400 pacientë – thonë autoritetet shëndetësore në një përgjigje me shkrim drejtuar redaksisë sonë.

Si blihet Ozempiku?

Ministria e siguron Ozempikun përmes Programit për sigurimin e insulinës, glukagonit, gjilpërave të insulinës dhe shiritave për matjen e glikemisë, pompave të insulinës me materiale të konsumueshme dhe sensorëve për matje të vazhdueshme të glikemisë.

Prandaj, ky medikament nuk është në Listën Pozitive dhe si i tillë nuk mbulohet nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

“Kjo do të thotë që Fondi nuk siguron fonde për prokurimin dhe shpërndarjen e këtij medikamenti për asnjë kategori të pacientëve, përfshirë këtu edhe pacientët me diabet”, theksojnë nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

Sipas miratimit nga MALMED ky medikament mund të jepet në farmaci vetëm me recetë nga mjeku, por jashtë farmacive të insulinës pacientët paguajnë nga xhepi për blerjen e tij. Diabetikët që nuk kanë mundësi ta blejnë privatisht, e atë kalojnë një muaj pa të.

Disa marrin hua, ndërsa disa të tjerë vendosin që ta blejnë atë me çmim më të ulët nga vendet fqinje, sidomos pacientët që jetojnë në qytetet në afërsi të vendkalimeve kufitare.

Оzempik si parandalim i hospitalizimit

Por cilat janë indikacionet konkrete për të cilat ky medikament u jepet pacientëve me diabet të tipit 2?

Endokrinologu Irfan Ahmeti për Radion Evropa e Lirë shpjegon se ky medikament është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ata që e kanë këtë diagnozë, e që kanë edhe komorbiditete dhe janë obezë, pra indeksi i masës trupore të të cilëve është mbi 27.

Dr. Ahmeti nga Klinika e Endokrinologjisë thotë se ai mund të merret edhe nga pacientët оbezë pa diabet të tipit 2. Megjithatë, ai dhe kolegët e tij, të cilët udhëhiqen nga rekomandimet e Shoqatës Amerikane dhe Evropiane për Diabetin, nuk e përshkruajnë këtë medikament për humbje peshe tek pacientët që nuk vuajnë nga diabeti.

“Rekomandimet tregojnë qartë se cili grup i pacientëve duhet të marrin Semaglutide, gjegjësisht Ozempik. Ky është grupi i pacientëve me rrezik kardiovaskular të dëshmuar për shkak të diabetit dhe obezitetit  dhe ne insistojmë ta përshkruajmë atë në këtë mënyrë që të koordinohemi me rregulloret tona”, shton Dr. Ahmeti.

Sipas bashkëbiseduesit tonë përdorimi i Ozempikut ka bërë një ndryshim revolucionar në  menaxhimin e diabetit të tipit 2.

Ndryshe nga qasja e mëparshme glukocentrike Ozempik dhe medikamentet e tjera të ngjashme me të kanë vërtetuar se duhet të bëhet vetëm rregullimi i sheqerit, por edhe parandalimi i ndërlikimeve tek personat me diabet të tipit 2.

“Përveç rregullimit të sheqerit në gjak Ozempik ka një efekt pozitiv në humbjen e peshës tek pacientët obezë dhe mbipeshë me diabet të tipit 2. Ai gjithashtu e zvogëlon edhe rrezikun nga ngjarjet kardiovaskulare siç është infarkti. Studime e fundit vërtetojnë se ky grup i barnave ka edhe efekt në reduktimin e avancimit të sëmundjes së veshkave, sëmundjes së arterieve periferike dhe yndyrosjes së mëlçisë”, shton Dr. Ahmeti.

Ai shpjegon se ky medikament mund t’u përshkruhet edhe diabetikëve që nuk kanë komplikime për rënie në peshë. Por në atë rast, ata nuk do ta marrin atë falas, por do të mund ta blejnë atë në njërën nga farmacitë private për rreth 6.000 denarë.

Trend i rrezikshëm në përdorimin e Ozempikut për rënie në peshë

“Trendi” i blerjes së këtij medikamenti me vetiniciativë, madje edhe kur nuk përdoret për trajtim, vazhdon të jetë i pranishëm tek qytetarët e Maqedonisë që janë mbipeshë, por jo obezë. Ata mund ta porosisin atë nga farmacitë më të furnizuara.

Një përpjekje e tillë për të siguruar Ozempik dëshmoi shkupjani Riste S., përderisa po priste në radhë në një farmaci në qendër të qytetit.

“Një grua po kërkonte të blinte Ozempik privatisht, por për momentin farmacia nuk e kishte në dispozicion. Gjatë bisedës punonjësit thanë se shitej privatisht, por se shitjen po ua dëmtonte importi ilegal përmes Kosovës, ku ai shitej më lirë. Në bisedë u përfshiva edhe unë dhe ata më thanë se mund ta blija, por pasi të furnizoheshin”, thotë bashkëbiseduesi.

Ne bëmë një “kontroll të vogël” edhe jashtë Shkupit. U drejtuam në një farmaci në një nga qytetet më të mëdha në brendësi ku pyetëm nëse mund të blinim Ozempik për rënie në peshë, në çka farmacisti u përgjigj pozitivisht.

“Doza mujore kushton 5.400 denarë”, u përgjigj ai shkurt pa i përmendur rreziqet e mundshme të përdorimit të tij në këtë mënyrë.

Por endokrinologu Ahmeti i paralajmëron qytetarët të mos e bëjnë këtë me vetëiniciativë.

“Është vetëm në përgjegjësinë e tyre. Nëse ndërmarrin diçka të tillë, ata e vënë veten në rrezik. Ne mjekët apelojmë se çdo medikament që është i regjistruar që ka efekte, si dhe efekte anësore, duhet të përshkruhet nga një mjek specialist që merret me atë çështje që të mund ta monitorojë pacientin”, përfundon Dr. Ahmeti.

Kjo praktikë është e njohur edhe tek shoqatat e diabetikëve, por kryetari i Unionit të tyre apelon se Ozempik nuk është as suplement dhe as kozmetikë, por është terapi.

“Ka  sfida serioze  nëse e merrni atë kur jeni të shëndetshëm. Nëse nuk ua ka përshkruar mjeku si terapi, nuk duhet as ta prekni”, shton Velev për REL.

MALMED: Inspektimet nuk konstatuan gjetje për falsifikate të medikamentit

Një thirrje të tillë bëri edhe  МALMED në vitin 2023,  kur Agjencia përmes një deklarate me shkrim e informoi publikun se ky medikament duhet të përdoret vetëm me rekomandimin e mjekut.

Ashtu si me çdo medikament tjetër edhe për medikamentin Ozempik ka kundërindikacione, gjegjësisht gjendje në të cilat medikamenti nuk duhet të përdoret. Janë regjistruar edhe reaksione anësore si rënia e nivelit të sheqerit në gjak, të vjella, diarre, dhimbje stomaku, kapsllëk, nauze, çrregullime metabolike dhe të tjera – njoftuan nga MALMED.

Nga Agjencia informuan se nga një mbajtës i autorizimit për lëshimin në treg të medikamentit Ozempik kanë pranuar raportim se në territorin e vendit ekziston një medikament i falsifikuar dhe njoftuan për një inspektim të jashtëzakonshëm nëpër farmacitë në vend.

Megjithatë, siç informojnë nga MALMED për REL inspektimet e kryera nuk vërtetuan asnjë gjetje të falsifikateve të medikamentit.

Inspektimet në farmaci kryhen të paktën një herë në vit – shtojnë nga MALMED.

E pyetëm Agjencinë nëse janë vënë re keqpërdorime me medikamentin Ozempik gjatë viteve 2024 dhe 2025, por në përgjigjen e tyre me shkrim ata deklaruan se nuk ka të dhëna që tregojnë për keqpërdorime.

Në rast të disponimit të informacionit për shitjen e paligjshme të medikamentit, raportimi mund të bëhet në Agjenci ose në adresën elektronike të saj.

Për informacion në lidhje me shitjen e Ozempik për rënie në peshë, pa recetë dhe raport nga mjeku ne e kontaktuam edhe Odën e Farmacisë për të parë nëse kishin pranuar një informacion të tillë, por deri REL nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Lexo dhe:

MALMED: Abuzime me barin Ozempik, mos përdorni ilaçe në bazë të rekomandimeve në rrjetet sociale dhe influencerëve