Pensionistët protestuan para Kuvendit, kërkuan rritje të pensioneve

Rritje të pensioneve sot para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut përmes një proteste paqësore kanë kërkuar pensionistët, ata janë të pakënaqur me nivelet e pensionit minimal, transmeton Portalb.mk.

Pensionistët theksuan se nuk kanë të ardhura të cilat mjaftojnë për ta kaluar muajin, nënvizuan se janë rritur kostot e jetesës dhe janë të papërballueshme.

Sipas tyre, kërkesa për rritje lineare është legjitime.

Nga Lidhja e Shoqatave të Pensionistëve të Maqedonisë theksuan se përkrahin kërkesën për rritje të pensioneve minimale, ndërsa për kanë përgatitur propozime dhe të njëjtat do t’i dorëzohen Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.

Kujtojmë që ditëve që po lëmë pas, protesta për rritje të pensioneve nga ana e pensionistëve ka pasur edhe në disa qytete tjera.

Më 14 gusht është paralajmëruar tubim më i madh i pensionistëve, ku pritet që ata t’i paraqesin kërkesat e tyre tek autoritetet kompetente.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale përmes një kumtese njoftoi se nuk ka asnjë ditë vonesë në pagesën e pensioneve dhe rritja e tyre është e vazhdueshme dhe e dukshme. Nga atje apeluan që mos të krijohet frikë te pensionistët dhe të mos manipulohet mungesa e informacionit, e cila sipas Ministrisë kanë për qëllim sigurimin e masës në protestatë cilat janë të ngjyrosura politikisht.