Euro 2024, trajnerët e kombëtareve me kërkesë deri te UEFA

Ndërsa trajnerët e ekipeve kombëtare në Europë po vlerësojnë se cilët lojtarë duhet të thërrasin për EURO 2024, ka një përpjekje të fundit e cila mund të përkufizohet si politike, pikërisht për shkak të kërkesës së tyre specifike: të konfirmojë listën me 26 lojtarë të grumbulluar në skuadër në vend të 23 që është numri deri më tani, raporton Klan.

Si UEFA për EURO 2020, ashtu edhe FIFA për Botërorin 2022, kishin lejuar të gjithë trajnerët të zgjidhnin 26 lojtarë, duke i gjykuar si të jashtëzakonshme rrethanat në të cilat ndodhën këto dy ngjarje. E para menjëherë pas Covid-it dhe e dyta në Dimër, në mes të sezonit sportiv. Por më pas UEFA riktheu sërish kushtet e mëparshme.

Përpjekjen për të patur më shumë lojtarë të grumbulluar e konfirmoi për “The Times” trajneri i Anglisë, Gareth Southgate.

Data 8 Qershor është e fundit për të konfirmuar listën e lojtarëve të thirrur për çdo ekip kombëtar pjesëmarrës në Evropian.

Trajnerët duan të kenë sa më shumë mundësi zgjedhjeje, ndërsa UEFA ende nuk ka vendosur, duke këshilluar trajnerët që të bëjnë një listë të gjerë me lojtarë e më pas të përzgjedhin ata që janë më në formë fizikisht, pas përfundimit të kampionateve respektive.