Piktura dhe mozaiku u ‘takuan’ mbrëmë në Çifte Hamam përmes katër rrëfimeve artistike

Nga kujtimet e shtresuara në telajo deri te një “mesazh në shishe” i ndërtuar në mozaik, Çifte Hamami në Shkup u shndërrua mbrëmë në një hapsirë ku u takuan forma, teknika dhe përvoja të ndryshme artistike. Para publikut u hapën ekspozitat “Inspirim” dhe “Mesazh në shishe”, nën kurimin e Narona Luma Veselit, shkruan Portalb.mk.

Në të njëjtën hapësirë u prezantuan katër autorë, por me katër gjuhë të ndryshme krijuese. “Inspirim” bashkon veprat e Bardha Buzës, Merita Myderrizi-Malokut dhe Vjosa Bujari-Maliqit, ndërsa “Mesazh në shishe” sjell krijimtarinë e artistit të njohur shqiptar të mozaikut, Saimir Strati, mbajtës i 11 Rekordeve Guinness.

Pikërisht ideja e mesazhit që artisti ia përcjell publikut qëndron në qendër të ekspozitës së Stratit.

“Çdo vepër arti është një mesazh që artistët dëshirojnë ta ekspozojnë dhe t’ia japin publikut. Dikush e thotë me zë të lartë dhe nuk ka nevojë ta fusë mesazhin në shishe, dikush e bën në mënyrë elektronike dhe nuk ka nevojë të bëjë një vepër arti. Kurse unë kam zgjedhur si titull mënyrën më tradicionale të dhënies së një mesazhi”, tha Strati për Portalb.mk.

Për të, arti nuk është vetëm mënyrë komunikimi, por edhe sakrificë dhe përkushtim.

“Arti në vetvete është sakrificë, është devotshmëri. Artistët nisen drejt pafundësisë, drejt së padukshmes dhe së pamendueshmes, që në rastin tonë më së miri e simbolizon deti”, tha Strati.

Foto nga ekspozita “Mesazh në shishe” e artistit Saimir Strati. Foto: Laura Laçi. Portalb.mk
Foto nga ekspozita “Mesazh në shishe” e artistit Saimir Strati. Foto: Laura Laçi. Portalb.mk

Në anën tjetër të ekspozitës, “Inspirim” e çon publikun drejt kujtesës, natyrës, emocionit dhe përvojës njerëzore. Përmes ngjyrës, dritës, peizazhit dhe abstraktes, tri artistet sjellin mënyra të ndryshme të përjetimit dhe interpretimit të botës.

Për Bardha Buzën, veprat e ekspozuara janë edhe një lloj rikthimi te kujtimet dhe përvoja e saj shumëvjeçare në pikturë.

“Jam shumë kureshtare t’i marr mendimet e secilit, sepse çdo njeri sheh ndryshe nga tjetri. Kam dashur të paraqitem me këtë cikël si një shtresim kujtimesh të krijimtarisë sime. Punimet janë kryesisht nga viti 2020 e deri më sot”, tha Buza për Portalb.mk.

Ajo thotë se përvoja e gjatë krijuese lë gjurmë që, herët apo vonë, gjejnë rrugën e tyre drejt telajos.

“Te krijuesi gjithmonë mbeten ato kujtime dhe shtresime që grumbullohen me vite. Unë kam tri dekada me pikturën dhe ato që i ke të shtresuara në mendje gjithmonë do të shfaqen në krijimtari”, shtoi Buza.

Foto nga ekspozita “Inspirim” e artisteve Bardha Buzës, Merita Myderrizi-Malokut dhe Vjosa Bujari-Maliqit. Foto: Laura Laçi. Portalb.mk
Foto nga ekspozita “Inspirim” e artisteve Bardha Buzës, Merita Myderrizi-Malokut dhe Vjosa Bujari-Maliqit. Foto: Laura Laçi. Portalb.mk

Kuratorja Narona Luma Veseli thotë se bashkimi i këtyre artistëve i jep publikut mundësinë që brenda një mbrëmjeje të përjetojë dy ekspozita krejtësisht të ndryshme.

“Nga njëra anë kemi ekspozitën e tri zonjave, Bardha Buza, Merita Myderrizi-Maloku dhe Vjosa Bujari-Maliqi, ndërsa nga ana tjetër kemi një mjeshtër të mozaikut dhe mbajtës të Rekordeve Guinness, Saimir Stratin. Bëhet fjalë për dy ekspozita shumë të veçanta, të cilat publiku do të ketë mundësi t’i shohë nga afër”, tha Luma Veseli për Portalb.mk.

Kështu, në Çifte Hamam, piktura dhe mozaiku nuk u vendosën thjesht pranë njëri-tjetrit. Ato krijuan një dialog mes kujtesës dhe mesazhit, mes përvojës personale dhe komunikimit me publikun, duke sjellë në një hapësirë katër autorë dhe katër mënyra të ndryshme për ta treguar një histori përmes artit.