Kontroll në shtëpinë e ish kryetares së Tetovës, u arrestua djali i saj 16 vjeçar për narkotikë

Policia e ka privuar nga liria djalin e mitur të ish kryetares së Komunës së Tetovës – Teuta Arifi dhe gjykatësit Suprem – Shpend Devaja. 16 vjeçari dyshohet për prodhim të paautorizuar dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike, raporton Portalb.mk.

Në verzionin zyrtar të Policisë thuhet se më datë 16.04.2026 në ora 22:05, zyrtarët policorë nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë e kanë privuar nga liria një 16-vjeçar nga Tetova, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale sipas nenit 215 të Kodit Penal.

Neni 215 i Kodit Penal i referohet Prodhimit të paautorizuar dhe lëshimit në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve.

“Gjatë kontrollit në një lokal në Tetovë, të kryer me pëlqimin e pronarit, të cilin i mituri e shfrytëzonte me qira, janë gjetur dhe sekuestruar: 34 paketime me marihuanë, një kuti dhe një qese me marihuanë, një paketim me lëndë pluhuri të bardhë”, informoi SPB Tetovë.

I mituri është ndaluar në stacionin policor dhe në prani të prindit me u zhvillua bisedë zyrtare.

SPB Tetovë njoftoi se pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të dorëzohet kallëzim përkatës.

16-vjeçari do të mbrohet në liri, Prokuroria Publike informoi se kundër personit është iniciuar procedurë në përputhje me Ligjin për drejtësi për fëmijët.