Erdogan e uroi Putinin, i ofroi ndërmjetësim në zgjidhjen e konfliktit me Ukrainën

Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan e ka uruar presidentin rus Vladimir Putin për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale. Erdogan i ofroi atij edhe një herë të ndërmjetësojë në negociatat e paqes me Ukrainën, transmeton Portalb.mk.

Siç njoftojnë nga kabineti i Erdoganit, në bisedën telefonike me Putinin, ai shprehu shpresën se zhvillimi pozitiv i marrëdhënieve mes Turqisë dhe Rusisë do të vazhdojë dhe shtoi se Turqia është e gatshme të ndërmjetësojë në negociatat ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.

Turqia ka mbajtur marrëdhënie si me Ukrainën ashtu edhe me Rusinë që nga fillimi i invazionit rus të Ukrainës nga shkurti 20222.

Kremlini njoftoi dje vonë se lideri rus kishte siguruar një mandat tjetër gjashtëvjeçar, duke fituar 87 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale treditore.

Putin ka qeverisur Rusinë që nga viti 2000 dhe është lideri më jetëgjatë i Kremlinit pas diktatorit sovjetik Josif Stalin.

Putin, në fjalimin e tij pas fitimit të mandatit të pestë presidencial, tha se do të forconte forcat e armatosura të Rusisë dhe do t’i jepte përparësi asaj që ai e quajti “operacionin special ushtarak” të Rusisë në Ukrainë.

Përfaqësues zyrtarë të disa vendeve perëndimore kritikuan dje zgjedhjet në Rusi, duke thënë se ato nuk ishin as të lira dhe as të drejta. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti Putinin një diktator që është “i dehur nga pushteti”.