Dodik “festoi” fitoren e Putinit me ngjyrat e flamurit rus

Mbrëmjen e 18 marsit, ndërtesa ku ndodhet selia e presidentit të entitetit të Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë u ndriçua me ngjyrat e flamurit rus, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Kjo u bë për “nder të fitores së Vladimir Putinit” në zgjedhjet presidenciale në Rusi dhe në shenjë të miqësisë mes Republikës Sërpska dhe Rusisë, tha presidenti i këtij entiteti, Millorad Dodik, përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.

Lideri pro-rus i serbëve në Bosnje e Hercegovinë, që është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë për shkak të aktiviteteve të tij kundër Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, paraprakisht uroi Putinin për fitoren e tij.

Dodik është një prej zyrtarëve të paktë që është takuar me Putinin që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Që nga nisja e agresionit ndaj Ukrainës, dy udhëheqësit janë takuar katër herë.

Herën e fundit që ata u takuan ishte më 21 shkurt në Kazan, në Republikën ruse të Tatarstanit.

Gjatë atij takimi, Putin ia dha Urdhrin Alexander Nevsky, të cilin Dodikut iu nda qershorit të vitit të kaluar për “kontributin në zhvillimin e bashkëpunimit” mes Rusisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Përndryshe, Mirosllav Vujiçiq, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnje e Hercegovinës, Sërxhan Mazalica, anëtar i Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska, Sinisha Vidoviq, këshilltar i presidentit të Asamblesë Kombëtare, ishin vëzhgues në zgjedhjet presidenciale ruse.

Ata ishin pjesë e vëzhguesve evropianë, që morën pjesë në numër të vogël, në zgjedhjet ruse. Asnjë vëzhgues nuk ishte nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Në zgjedhjet që përfunduan të dielën, e të cilat u kontrolluan ashpërsisht nga Kremlini, Putin ftoi edhe një mandat gjashtëvjeçar. Ai është në pushtet në Rusi që 24 vjet.