Epidemia në Gostivar: Shëndetësia qetëson situatën, Ushtria në terren, opozita kërkon përgjegjësi

Epidemia në Gostivar po tregon shenja qetësimi. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 71 raste të reja, por sipas anketave epidemiologjike vetëm një pjesë e vogël e tyre janë të lidhura me ujësjellësin e qytetit, transmeton Portalb.mk.

“Drejt përfundimit formal do të shkonim kur të mos ketë më raste të lidhura me ujësjellësin e qytetit. Ky përmirësim është rezultat i pastrimit të ujit dhe përshtatjes së tij për përdorim teknik. Deri në fund të javës pritet që uji të mund të përdoret edhe për pirje dhe gatim, përkatësisht kur të gjitha çezmat të rezultojnë negative”, tha ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Uji në Gostivar do të mund të përdoret sërish për pirje kur të ketë tre teste negative radhazi nga mostrat e analizuara.

Paralelisht me masat shëndetësore, Ushtria mbetet e angazhuar në Gostivar.

Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajlovski, gjatë vizitës në kazermën “Jane Sandanski” në Shtip, theksoi se në qytet po sigurohet ujë shtesë teknik përmes cisternave dhe pajisjeve të Ushtrisë.

“Do të jemi vazhdimisht atje, edhe pse tashmë ka ujë teknik. Përderisa të jemi të nevojshëm atje, do të jemi”, theksoi Misajllovski.

Opozita, LSDM-ja, kërkoi përgjegjësi penale për helmimin e mbi 4.000 qytetarëve në Gostivar, si dhe për ndotjen në shtatë vendbanime të tjera dhe dy lumenj. LSDM akuzoi se pushteti i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja kishte fshehur informacione dhe kishte reaguar me vonesë, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve.

“Nuk mund ta helmoni një qytet të tërë dhe askush të mos mbajë përgjegjësi. Për këtë duhet të ketë përgjegjësi politike dhe penale”, deklaroi zëdhënësja e LSDM, Bognanka Kuzeska,

Më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ndaloi përdorimin e ujit për pije në Gostivar, pasi u zbulua një pompë që fuste drejtpërdrejt ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit. Inspektorët e Agjencisë dolën në terren së bashku me policinë pas shtimit të raportimeve të qytetarëve për probleme me stomakun.

Disa ditë më vonë, drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe edhe dy të punësuar u arrestuan, ndërsa ndaj tyre u hap hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se, me lëndë të dëmshme, e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit, më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për të testuar presionin e ujit.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati, Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve, më 20 korrik Prokuroria Publike publikoi rezultatet, sipas të cilave uji në Gostivar ishte jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim.

Në ujë u zbuluan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua gjithashtu numër i rritur i kolonive bakteriale aerobe mezofile dhe prani e baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për një ndotje jashtëzakonisht të lartë fekale të ujit të pijshëm.