Ardian Kadrija: Publiku është afruar më shumë me artin, sfida mbetet te artistët

Ardian Kadrija i përket gjeneratës së artistëve të cilët artin nuk e shohin vetëm si profesion, por si mënyrë të të menduarit dhe të jetuarit. I rritur në një familje ku krijimtaria ishte pjesë e përditshmërisë, ai e ka ndërtuar rrugën e tij mes skulpturës, skenografisë, teatrit dhe filmit. Për Kadrijën, forma, hapësira dhe materiali nuk janë thjesht elemente teknike, por gjuhë përmes së cilës komunikohet me publikun. Në një bisedë për Portalb.mk, ai foli për rrugëtimin e tij artistik, nga hapat e parë mes skulpturës deri te puna në teatër dhe film. 

Portalb.mk: Kur e kuptove se arti do të ishte rruga jote?

Ardian Kadrija: Nuk besoj se ka qenë një moment i vetëm. Kam lindur në një familje ku arti ishte pjesë e jetës së përditshme dhe jam rritur mes ngjyrave, vizatimeve dhe bisedave për artin. Me kalimin e viteve e kuptova se kur krijoja diçka ndihesha më i qetë dhe më i plotësuar se në çdo gjë tjetër. Atëherë e kuptova se kjo nuk ishte vetëm një dëshirë, por rruga ime.

Portalb.mk: Çfarë të tërheq më shumë: skulptura apo skenografia?

Ardian Kadrija: Skulptura është baza ime. Aty kam filluar dhe aty ndihem më afër vetes si artist. Më pëlqen ideja që nga një material i thjeshtë të krijosh diçka që mund të mbetet dhe të komunikojë me njerëzit edhe pas shumë vitesh. Skenografia erdhi më vonë, por shumë shpejt u bë një pjesë e rëndësishme e jetës sime profesionale. Filmi dhe teatri më kanë tërhequr gjithmonë. Nuk i shoh si dy fusha të ndara. Skulptura më ka mësuar të kuptoj formën, vëllimin, materialin dhe hapësirën. Ashtu siç e ndiej një skulpturë, e ndiej edhe një skenë apo një set filmik.

Portalb.mk: Nga vijnë zakonisht idetë për veprat e tua? Cila vepër të përfaqëson më shumë dhe pse?

Ardian Kadrija: Idetë zakonisht vijnë nga jeta e përditshme, nga njerëzit, nga bisedat, ngjarjet dhe situatat që na rrethojnë. Shpesh frymëzohem edhe nga filmat. Kam pasur gjithmonë interes të veçantë për portretin dhe për njeriun. Më pëlqen të vëzhgoj njerëzit, mënyrën si mendojnë, si reagojnë dhe çfarë historie mbajnë brenda vetes. Mendoj se në jetë është e rëndësishme të njohësh vetveten, por po aq e rëndësishme është të njohësh edhe të tjerët. Një nga veprat me të cilat ndihem më i lidhur është ‘CHAOS’. Kjo vepër nuk flet vetëm për një individ, por për njeriun në përgjithësi dhe për kohën në të cilën jetojmë. Ajo trajton pasiguritë, konfliktet, tensionet dhe kaosin që e rrethon njeriun bashkëkohor. Në një mënyrë simbolike lidhet edhe me zhvillimet që shohim çdo ditë në botë. Ndoshta pikërisht për këtë arsye ndihem më afër kësaj vepre.

Portalb.mk: Çfarë dallimi ka për ty puna në teatër dhe puna në film? Si e nis krijimin e një skenografie të re?

Ardian Kadrija: Në teatër, përveç idesë artistike dhe simbolikës, duhet të mendosh edhe për aktorin. Mundohem që skenografia të mos jetë pengesë, por mbështetje për të. Në film procesi është ndryshe. Kamera sheh gjëra që publiku në teatër nuk mund t’i vërejë. Çdo detaj mund të marrë rëndësi dhe për këtë arsye gjithçka duhet të jetë më e kontrolluar dhe më afër realitetit. Procesi fillon gjithmonë me leximin e skenarit. Fillimisht përpiqem të kuptoj historinë dhe botën e filmit apo shfaqjes. Më pas mendoj për zhanrin dhe për regjisorin. Nuk nxitoj të vizatoj menjëherë. E lë idenë të piqet, mbaj shënime dhe bëj skica. Shpesh ideja fillestare ndryshon gjatë procesit dhe bëhet më e fortë.

Portalb.mk: Sa i rëndësishëm është bashkëpunimi me regjisorin? Çfarë të ka mësuar puna në filmin ‘Krejt e thirrin Rexhën’?

Ardian Kadrija: Bashkëpunimi me regjisorin është shumë i rëndësishëm, sepse skenografia nuk mund të ndërtohet e shkëputur nga vizioni i përgjithshëm i filmit apo i shfaqjes. Ka raste kur nuk pajtohemi për një ide, por përmes bisedës dhe analizës arrijmë te zgjidhja më e mirë. Kur ka dialog të vërtetë mes regjisorit dhe skenografit, edhe rezultati është më i plotë. ‘Krejt e thirrin Rexhën’ ishte një nga projektet që më sfidoi më së shumti si skenograf. Qasja jonë ishte të ndërtonim një film sa më realist, pa zbukurime të panevojshme. Ky film më mësoi se ndonjëherë gjëja më e vështirë nuk është të krijosh diçka të bukur, por të krijosh diçka që duket e vërtetë.

Foto nga arkivi personal i Ardian Kadrijës
Foto nga arkivi personal i Ardian Kadrijës

Portalb.mk: A mendon se publiku ynë e vlerëson mjaftueshëm artin pamor dhe cilat janë sfidat më të mëdha për një artist sot?

Ardian Kadrija: Mendoj se vitet e fundit publiku është afruar më shumë me artin. Nuk besoj se problemi kryesor qëndron te publiku. Shpesh problemi është te ne artistët, te ajo që krijojmë dhe te mënyra se si e prezantojmë punën tonë. Kur publiku ndalet para një vepre, pyet veten për diçka dhe largohet me një mendim të ri, atëherë arti e ka kryer misionin e vet. Për mua, sfida më e madhe është të gjesh ekuilibrin mes jetës artistike dhe familjes. Ekzistojnë edhe sfida të tjera si mungesa e fondeve, neglizhenca institucionale dhe mungesa e kritikës profesionale. Artistët kanë nevojë jo vetëm për vlerësim, por edhe për analiza dhe këshilla profesionale.

Portalb.mk: A është shumëllojshmëria e roleve zgjedhje e lirë artistike apo nevojë për të mbijetuar?

Ardian Kadrija: Në rastin tim ka qenë një zgjedhje e vetëdijshme. Skulptura dhe skenografia janë dy fusha që i kam zgjedhur sepse i dua. Mendoj se profesioni i skulptorit më ka ndihmuar shumë të bëhem një skenograf më i mirë. Ashtu siç e ndiej një skulpturë, e ndiej edhe një skenë apo një set filmik.

Portalb.mk: Çfarë të motivon ende pas kaq vitesh pune në art?

Ardian Kadrija: Ajo që më motivon më shumë është vetë procesi i krijimit. Kur filloj një projekt, zakonisht në mendjen time e shoh se ku mund të arrijë dhe si mund të duket në fund. Mundohem t’i shkoj një ideje deri në fund dhe ta realizoj sa më mirë dhe sa më profesionalisht. Kur projekti përfundon dhe e shoh të realizuar, ajo ndjenjë vazhdon të më motivojë edhe sot.

Foto nga arkivi personal i Ardian Kadrijës
Foto nga arkivi personal i Ardian Kadrijës