Dy persona janë infektuar me linë e majmunëve në Maqedoninë e Veriut
Dy raste të lisë së majmunëve janë regjistruar për herë të parë në Maqedoni, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) vonë mbrëmë, transmeton Portalb.mk.
Analizat laboratorike, të kryera në tre mënyra të ndryshme, konfirmuan rastet. Pas rezultateve të marra, menjëherë u morën masat e duhura dhe u informuan të gjitha institucionet përkatëse – Ministria e Shëndetësisë, Klinika për Sëmundjet e Lëkurës dhe Klinika e Sëmundjeve Infektive.
Epidemiologët nga Instituti i Shëndetit Publik kanë nisur një anketë të individëve të infektuar për të mbledhur informacionin e nevojshëm për mbrojtje dhe kontroll të mëtejshëm. Pacientët udhëzohen të kontaktojnë Klinikën e Sëmundjeve Infektive për monitorim dhe trajtim.
Nga Instituti theksojnë se nuk ka vend për panik, pasi të gjitha institucionet po marrin shpejt dhe profesionalisht masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.
Transmetimi i lisë së majmunit nga njeriu te njeriu mund të ndodhë nëpërmjet kontaktit me material të infektuar ose lëngje nga lëkura, goja ose organet gjenitale, duke përfshirë prekjen, kontaktin e ngushtë dhe marrëdhëniet seksuale. Mund të përhapet edhe nëpërmjet pikave gjatë të folurit, kollitjes ose teshtitjes.
Kujtojmë se në Kosovë rasti i parë është shënuar në dhjetor të vitit të kaluar.