Drejtori i Infektives, Cana: Ka gjasa që të infektuarit me linë e majmunëve mos të tregojnë se kanë dalë jashtë RMV-së
Nuk është plotësisht e sigurt nëse dy pacientët e infektuar me li të majmunëve janë larguar nga vendi dhe mund të mos kenë dhënë informacion të besueshëm në anketën epidemiologjike, tha për Plusinfo drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana, transmeton Portalb.mk.
“Dyshoj se është virus vendas. Sondazhet epidemiologjike janë të pakta dhe shpesh të prekurit mund të mos japin informacion të saktë për shkak të frikës nga diskriminimi”, tha Cana.
Ai shton se skuqja nga lija e majmunëve në këto dy raste ishte lokalizuar në një rajon të trupit dhe nuk u përhap, dhe se ka një probabilitet të ulët transmetimi nëse ndiqen masat e izolimit.
“Rreziku i transmetimit është i ulët, përveç nëse të infektuarit bien në kontakt me njerëz të tjerë ndërsa ende kanë simptoma”, theksoi Cana.
Ai pohon se njëri nga pacientët është në shtëpi në vetëizolim, ndërsa i dyti është në gjendje të qëndrueshme në Klinikën e Sëmundjeve Infektive dhe së shpejti do të dalë nga spitali.
Disa ditë më parë, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) konfirmoi 2 raste të lisë së majmunëve, të zbuluara për herë të parë në Maqedoni.
Drejtoresha e ISHP-së, Marija Andonovska, informoi se bëhet fjalë për dy pacientë meshkuj, të lindur në vitet 1981 dhe 1985, të dy nga Shkupi. Sipas informacionit të dhënë nga dy pacientët, ata nuk kishin udhëtuar askund jashtë vendit.