Në Shqipëri është konfirmuar rasti i parë i lisë së majmunëve

Shqipëria ka konfirmuar rastin e parë të lisë së majmunëve, një sëmundje ngjitëse e diagnostikuar tek një i ri në të tridhjetat, raporton Top Channel.

Pacienti mori trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe u izolua menjëherë pasi u konfirmua diagnoza.

Autoritetet shëndetësore po mobilizohen për të gjurmuar kontaktet e tij dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.

“Mësohet se i riu ka udhëtuar jashtë vendit, të paktën kjo është ajo që ka treguar para mjekëve të cilët e lidhin këtë të fundit si shkak infektimi, pasi deri më tani në Shqipëri nuk kanë identifikuar ose të paktën nuk janë raportuar nga Instituti i shëndetit publik raste të prekura nga lija e Majmunit”, raporton TCH.

Sa i përket infeksioneve të mundshme të mëtejshme, autoritetet konfirmojnë se deri më tani nuk janë raportuar raste ose infeksione të tjera në vend.

Simptomat e kësaj sëmundjeje përfshijnë ethe, dhimbje trupi, nyje limfatike të fryra, skuqje e lëkurës që shndërrohet në flluska me kore. Ato zakonisht shfaqen në duar, fytyrë dhe organe gjenitale.

Lija e majmunëve përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me persona të infektuar, siç është kontakti lëkurë me lëkurë ose marrëdhëniet seksuale. Megjithatë, një person mund të infektohet edhe nëpërmjet kontaktit me objekte të kontaminuara, siç janë çarçafët, peshqirët ose rrobat.

Sëmundja monkeypox  është e kurueshme, personi duhet të izolohet nga anëtarët e tjerë të familjes. Ajo shfaq simptoma më të rënda tek fëmijët apo personat me imunitet të dobët.

Monkeypox është sëmundje e Afrikës pasi virusi qarkullon në kafshët e egra. Në vitin 2022 kjo sëmundje u përhap në Europë dhe ShBA dhe Mbretërisë e Bashkuar.

Spanja ka qenë vendi me numrin më të lartë nga Mpox me afro 8100 raste më pas Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.