Këshilltarët e AKI-së në Butel: Sulejmani gënjeu, problemi në “Penko” mbetet i pazgjidhur

Këshilltarët e Aleancës për Integrim (AKI) në Komunën e Butelit kanë reaguar lidhur me situatën me regjistrimin e nxënësve shqiptarë në Shkollën Fillore “Petar Zdravkovski – Penko” në Butel të Shkupit, duke akuzuar zv. ministrin e Arsimit, Driton Sulejmani, se ka dhënë informacion të pasaktë për zgjidhjen e problemit, shkruan Portalb.mk.

Sipas tyre, problemi nuk është zgjidhur, paralelja vazhdon të jetë e mbyllur, si dhe regjistrimi i nxënësve është realizuar vetëm pjesërisht, ndërsa si kriter është përdorur fakti nëse nxënësit kanë motër ose vëlla të regjistruar në këtë shkollë.

“Sot jemi para jush sepse zv. ministri i Arsimit gënjeu, paralelja u mbyll dhe problemi mbetet i pazgjidhur. Pak ditë më parë, zv. ministri i Arsimit, Driton Sulejmani, doli me deklaratë, duke njoftuar opinionin se ishte arritur zgjidhje për çështjen e paraleles në gjuhën shqipe në SHF “Petar Zdravkovski – Penko” dhe se ishte garantuar mosmbyllja e paraleles dhe regjistrimi i nxënësve shqiptarë. Por faktet flasin ndryshe, paralelja u mbyll dhe problemi mbetet i pazgjidhur. Sot, disa ditë pas publikimit të atij njoftimi, faktet dëshmojnë një situatë krejtësisht ndryshe. Regjistrimi i nxënësve u realizua vetëm pjesërisht, duke u bazuar në kriterin e vetëm të faktit nëse nxënësit kishin motër ose vëlla të regjistruar në paralelet e kësaj shkolle”, tha Linkest Lumani, këshilltar i AKI-së në Komunën e Butelit.

Këshilltarët e AKI-së kërkojnë që të respektohet vendimi për rajonizimin e shkollave, konkretisht neni 7, i cili, sipas tyre, mundëson regjistrimin e nxënësve edhe nga komuna të tjera, nëse ata i përkasin rajonit ku ndodhet shkolla.

“Kërkojmë të zbatohet neni 7 i vendimit për rajonizimin e shkollave, i cili e përcakton qartë se mund të regjistrohen nxënës edhe nga komuna të tjera, por që janë në rajonin ku gjendet shkolla”, deklaroi Lumani.

Ndërkohë, zv.ministri i Arsimit, Driton Sulejmani, sot në një paraqitje për media deklaroi se edhe gjatë vitit të kaluar shkollor, në klasën e parë në SHF “Petar Zdravkovski – Penko” kanë funksionuar vetëm katër paralele me mësim në gjuhën shqipe. Sipas tij, i njëjti numër ka mbetur edhe pas regjistrimit të nxënësve për vitin shkollor 2026–2027, duke theksuar se për këtë arsye nuk mund të flitet për mbyllje të një paraleleje të pestë.

“Kjo është tabela zyrtare e marrë nga ditari elektronik, në të cilën në klasën e parë, për vitin shkollor 2025–2026, kanë figuruar katër paralele me mësim në gjuhën shqipe. Kjo është tabela e vitit 2026–2027, pas regjistrimit, ku sërish figurojnë katër paralele në gjuhën shqipe. Situata nuk ka ndryshuar dhe nuk kemi mbyllje të paraleles”, theksoi Sulejmani.

Kujtojmë se, prindërit e nxënësve që nuk janë pranuar në këtë shkollë kanë dorëzuar peticion në Komunën e Butelit dhe në Ministrinë e Arsimit, duke kërkuar zgjidhje përfundimtare për problemin. Sipas prindërve, deri tani janë pranuar vetëm nxënësit që kanë vëlla ose motër të regjistruar në SHF “Petar Zdravkovski – Penko”, ndërsa fëmijët e tjerë nuk janë pranuar.

Ndryshe, problemi me paralelen e pestë në gjuhën shqipe u bë publik pasi organet lokale vendosën që njëra nga pesë paralelet e klasës së parë të mos funksionojë. Si arsye u përmendën numri i nxënësve dhe rajonizimi.

Sipas të dhënave të Entit të Statistikave, në vitin shkollor 2024-2025, në Komunën e Butelit kishte gjithsej 5 276 nxënës, prej të cilëve 2 971 shqiptarë. Ndërsa, në SHF “Petar Zdravkovski – Penko” mbi 90 për qind e nxënësve janë shqiptarë.