DY MILIARDË HALIFË

 “Nuk ka asgjë që mund të zbulojë shkenca që do ta bënte besimin tim të lëkundet, as nuk ka ndonjë gjë që mund të predikojë feja që sfidon një mendje shkencore.”

  1. Moghul

Dy miliardë halifë: Një vizion për një të ardhme muslimane (Logos-A, 2023) të Haroon Moghul (1983-), vepër e një amerikani me prejardhje pakistaneze, profesor, folës publik, predikues, punimet e të cilit shqyrtojnë pikëprerjet mes kulturës popullore, filozofisë, fesë dhe futurizmit. Autori në fjalë i pranishëm në New York Times, Time, Religion Dispatches, CNN, Washington Post, Foreign Policy, The Guardian, Al Jazeera English etj., mban firmën edhe të veprave Shteti im i parë policor (My First Police State, 2003), Rendi i dritës (The Order of Light, 2006) dhe Si të jesh musliman: Një rrëfim amerikan (How to be a Muslim: An American Story, 2017), ku është munduar të pajtojë praktikat më ortodokse fetare të fëmijërisë me bindjet dhe përvojat si një i rritur me një identitet diadik, musliman-amerikan.

Dy miliardë halifë diskuton sfidat me të cilat Islami bashkëkohor përballet, dhe si mund të imagjinohet një teologji dhe identitet islamik i të nesërmes që nuk do të lidhet dhe nuk do të kufizohet me ekstremizmin, obskurantizmin, mizogjininë (beacon.org) e të ngjashme. Në të Moghul eksploron historinë e Islamit, mënyrën se si mësimet e të dërguarit Muhammed zbatohen në botën moderne dhe relacionin dhe dilemat e tij me Islamin si fe dhe mënyrë jetese. (WHYY, 2022) Me një autobiografi, teologji dhe pak komedi, kjo vepër përshkruan se çfarë është Islami, nga vjen ai dhe çfarë mund të jetë fati i tij dhe i muslimanísë. Është përjetim i Islamit dhe rrjedhimeve të tij sociologjike, kulturologjike dhe politike në një kontekst amerikan dhe më gjerë, i dilemave që autori i ka lidhur me segmente të caktuara të fesë që i shpreh pa hezituar, me shumë guxim.

Moghul shprehet se ka pasur një relacion krizologjik si me Islamin puritan-literalist, ashtu edhe me atë mistik (bindja jokritike ndaj shejhut), të cilin e preferon, por nga i cili ndjehet gjithashtu i zhgënjyer. Ai kritikon mënyrën e komunikimit të porosisë përmes zemërimit, historizimin e saj, duke pohuar se “dy miliardë muslimanëve u ka ardhur në majë të hundës nga rrëfimi se si kanë qenë gjërat, duke harruar të flasin për atë se si dëshirojnë të jenë gjërat” (Moghul, 2022:18), sot, në shekullin XXI. Ai fenë e sheh si një vizion etik, një udhëtim shpirtëror, një mjet për të vendosur afërsinë midis Njëshit dhe çdokujt (tjetër). Sipas tij, Islami nuk është vetëm teologji, ai është një mënyrë e të qenit në botë, me diçka unike për të ofruar për individin, shoqërinë, njerëzimin.

Feja nuk ka të bëjë me kufizimin e mendjes; ajo ka të bëjë me disiplinimin e mendjes – për t’i çliruar kapacitetet e saj – shprehet Moghul. Objektivi i synuar masivisht ndër shekuj, teokracia islame, “Islami politik është në thelb dhe në mënyrë të pashmangshme i paqëndrueshëm – më keq se kjo, në emër të unitetit, krijon ndarje, rraskapitje morale dhe djegie shpirtërore.” Islami dhe politika do të thotë fatkeqësi. Islami dhe shpirti i njeriut? Shumë të mira duket se kanë ardhur nga ky kombinim.

Ai e sheh si një fantazi panislamizmin konkret, gjegjësisht hilafetin klasik. Muslimanët duhet të ndalojmë së ëndërruari për bashkimin global politik, për shtetin gjithëbotëror. Sipas Moghul-it hilafeti i profetit Muhammed ka përfunduar, ndërsa hilafeti i Zotit, ai ademik dhe havian, vazhdojnë të gjallërojnë edhe sot e këtë ditë. Sipas tij, hilafeti është institucioni i parë sekular në historinë islame. Nëse Islami bashkëkohor pushtohet nga njerëz që besojnë se mandati i tyre i frymëzuar hyjnor është t’i çokasin njerëzit në kokë me perceptimet, leximet dhe botëkuptimin e tyre statik, na presin periudha të ngjashme me “pranverat arabe që do ndiqen nga dimra autoritarë”.

Sot Islami është një fe në telashe serioze; ai ka problemin e interpretimit dhe të politizimit; kjo fe nuk guxon të lihet në duar të islamizmave të dështuar, shtypës, të ngurtë (2022:141). Sipas autorit, qëllimi i muslimanit nuk është të shohë që feja apo besimi i tij të shkelë mbi mënyrën e jetesës së dikujt tjetër, e lëre më mbi kontinentin apo planetin. Çmenduri është të bazuarit në mantrën e dëshpëruar për “pjellorinë e lartë të muslimanëve”(që nesër do të relativizohet edhe ndër familjet islamike) si mjet për hilafet global. Duke përdorur një terminologji të Benedict Andersonit ai pohon se sot muslimanët nuk e adhurojnë Zotin, por bashkësinë e tyre të imagjinuar. Flitet kaq shumë për vëllazërinë islame, ndërkohë që asnjë pjesë e botës muslimane nuk e ka arritur atë lloj besimi, çiltërsie dhe bashkëpunimi të ndërsjellë që Perëndimi ka ndërtuar gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit. Nëpër botën islame nuk mund të udhëtohet pa viza, nuk ka partneritete në shkencë dhe arsim, kulturë dhe fe. Disa nga këto gjëra ekzistojnë atje, por ato janë mediokre, shumë larg nivelit të Perëndimi modern. Besimtarët munden dhe duhet ta çlirojnë Islamin nga kontrolli i politikës së fetarizuar dhe fesë së politizuar, duke e kthyer atë në atë që ishte menduar gjithmonë të ishte.

Sipas tij, bota ka nevojë për një multinacionalizëm demokratik. “Ka diçka thellësisht islame në idenë e një qeverie nën të cilën njerëzve iu jepen të drejta për shkak të pajtimit të tyre me një marrëveshje shoqërore.”Ne duhet  t’i kryejmë detyrimet tona fetare në një mënyrë që nuk na vendos kot në kundërshtim me botën, ose të mos vendosemi kundër vetvetes.

Moghul thotë se sot kemi nevojë për një hilafet të rrjetëzuar, hilafet halifësh, apolitik, organik, pa një figurë të vetme mbizotëruese dhe pa asnjë qendër të vetme gjeografike, për një evolucion të hilafetit të individualizuar (autokratik), të vetatribuuar, të përvetësuar në një hilafet të bashkësive autonome të individëve. Ne duhet t’i kthehemi veprimit individual në botën në të cilën Zoti na ka zbritur dhe ku kemi mision.

Çdo musliman duhet të jetë halife në plotëkuptimin e fjalës, jo politikisht, por në aspekt të vlerave, moralit, kulturës, përfaqësimit të kodit hyjnor të kësaj feje. Me një fjalë duhet bërë përpjekje për ta rikthyer imazhin e rrënuar të besimtarit dhe fesë islame, më tepër nga muslimanët sesa nga faktorët e jashtëm (jomuslimanët). Nëse nuk realizojmë një projekt të tillë të hilafetit, kjo fjalë (hilafeti), si në “rastin ISIS”, do marrë një kuptim “aq brutal sa që do të dëshironim që të mos përmendej më kurrë.”(2022:168)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.