ANALIZË: Padi milionëshe, tatime të papaguara, punësime të pajustifikuara – gjetjet e revizionit për Karposhin dhe Butelin!

Pas publikimit të detajeve nga raporti i revizorëve për komunën e Tetovës, “Portalb”-i publikon edhe gjetjet për punën e komunave tjera në vend, puna financiare e të cilave ishin nën thjerrën e revizorëve, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Komuna e Karposhit: padi gjyqësore në vlerë prej gati 30 milionë euro!

Të hyra dhe shpenzime të parealizuara sipas planit, në anën e të hyrave janë arkëtuar 78% e shumës së planifikuar, ndërsa në anën e shpenzimeve janë shpenzuar 77% në raport me planin. Në raportin e revizionit për komunën e Karposhit, i cili përfshin mandatet e ish-kryetarit Stefan Bogoev dhe kryetarit aktual Stefço Jakimovski, vërehen dobësi të shumta në punën financiare të komunës. Një pjesë e madhe e tatimeve nuk janë mbledhur sipas planit, si p.sh. tatimi mbi të ardhurat nga personat fizikë që merren me veprimtari zejtare për 84,6%, ndërsa kompensimi për rregullimin e tokës ndërtimore për 43,75%.

“Përkundër dështimeve të theksuara të të hyrave të realizuara në raport me ato të planifikuara, kryetari i komunës nuk ka paraqitur propozim për përshtatje shtesë të zërave të buxhetit, gjë që nuk është në përputhje me Ligjin për Financimin e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale” – thuhet në raportin e revizionit.

Kjo komunë e Shkupit, e cila ishte ndër komunat me borxh më të madh, po përballet me procedura të rënda gjyqësore në të cilat kërkohen dëmshpërblime në vlera milionëshe. Revizorët zbulojnë se komuna e Karposhit është paditur në 23 procedura, vlera e të cilave është 29,1 milionë euro, ndërsa komuna paraqitet si paditëse në 6 procedura me padi në vlerë prej 2,3 milionë euro.

“Duke qenë se bëhet fjalë për procedura gjyqësore që zhvillohen para gjykatave kompetente dhe deri në ditën e revizionit nuk dihet rezultati përfundimtar i tyre, ka paqartësi për implikimet financiare të buxhetit të komunës në të ardhmen dhe mundësi për bllokimin e sërishëm të llogarisë së komunës së Karposhit”- theksojnë revizorët.

Në vitin 2021, përmes një agjencie private punësimi, komuna angazhoi 199 persona, 95 prej tyre për punë të rregullta, ndërsa 104 për mirëmbajtjen e higjienës publike.  Me planin vjetor për punësim në komunën e Karposhit, në vitin 2021 ishin paraparë 30 punësime, kurse revizorët theksojnë se numri i personave të angazhuar përkohësisht është më i madh se plani.

“Gjendjet e përcaktuara për mënyrën e angazhimit të punonjësve përmes agjencive private të punësimit mundësojnë zvogëlimin e transparencës gjatë punësimit, subjektivitet në përzgjedhjen e personave dhe pozitë preferenciale në procedurën e angazhimit të tyre” – thuhet në raport.

Kabineti i kryetarit të komunës u ka dërguar përgjigje revizorëve në lidhje me disa pika – disa nga ato përgjigje janë pranuar si njoftime, e disa janë refuzuar.

“Angazhimi i personave nga një agjenci private është bërë për shkak të ngarkesës së shtuar të punës dhe nevojës së vazhdueshme për mirëmbajtjen e higjienës në komunë”- thuhet në përgjigjen e kryetarit të komunës.

Komuna e Butelit: edhe pas 2 ribalancimeve dhe 4 realokimeve të parave – mospërputhje e arkës buxhetore! 

Mungesë e transparencës dhe llogaridhënies së subjekteve që kanë marrë ndihmë financiare nga komuna, dobësi në furnizimet publike, opinion i rezervuar për vërtetësinë dhe objektivitetin e një pjese të raporteve financiare për punën e komunës – këto janë disa nga konkluzionet e revizorëve pas inspeksionit në komunën e Butelit. Është skanuar viti 2021, periudhë kur në krye të komunës ishin kryetarët Velimir Smilevski dhe Darko Kostovski.

Edhe në këtë komunë është konstatuar një dështim i konsiderueshëm si nga ana e të hyrave ashtu edhe nga ana e shpenzimeve, si dhe realizimi jo i plotë i të hyrave tatimore.

“Dështim i theksuar i të hyrave të realizuara në raport me ato të planifikuara shënojnë të hyrat nga shitja e tokës ndërtimore të pandërtuar në pronësi të RMV-së dhe kompensimi për përcaktimin e statusit juridik të objekteve të ndërtuara pa leje për 35%” – deklarojnë revizorët dhe vlerësojnë se përkundër dy rebalancimeve buxhetore dhe katër realokimeve të mjeteve, mospërputhja e financave buxhetore nuk është tejkaluar.

Revizorët konstatojnë gjithashtu veprime në kundërshtim me ligjin edhe në destinimin e mjeteve të mbledhura nga legalizimi i ndërtimeve pa leje:

“Revizioni ka konstatuar situata të caktuara që tregojnë se ka mos respektim të Ligjit për Veprimin në Lidhje me Objektet e Ndërtuara në Mënyrë të Paligjshme, sipas të cilit mjetet e fituara nga kompensimi për përcaktimin e statusit juridik të objekteve të ndërtuara pa leje, komunat janë të obliguara që t’i shfrytëzojnë për qëllimin e tyre (për miratimin e dokumentacionit planor urbanistik)”

Komuna e Butelit, në bazë të kompensimit për legalizim në vitin 2021, ka realizuar të hyra në vlerë prej 77,200 euro. Kryetari i komunës u ka dorëzuar revizorëve përgjigje për disa pika, shumica prej tyre nuk janë pranuar e ka disa që janë pranuar pjesërisht.