Dy gra u nxorën nga një ashensor që ishte bllokuar kur u ndërpre rryma pas zjarrit në sallën Universale

Policia njoftoi se për shkak të zjarrit në sallën Universale në Shkup nga ekipet e EVN-së është ndërprerë furnizimi me rrymë në tërë rrethinën e sallës, ndërsa në rrugën “Petar Pop Arsov” ishin dy gra të ngujuara në ashensorët e ndërtesave, transmeton Portalb.mk.

Ata janë nxjerrë nga Njësia për ndërhyrje policore.

Lidhur me zjarrin, në Stacionin Policor Qendër janë ndaluar tre punëtorë ndërtimi, të cilët në momentin e rënies së zjarrit kanë kryer punë, përkatësisht B.R. (50), Z.T. (60) dhe B.I. (53), njofton MPB.

Po merren masa për zbardhjen e rastit.

Kujtojmë se sot zjarri kaploi Sallën Universale në Shkup. Kupola që u vendos pikërisht dy javë më parë sot u dogj. Nuk ka viktima apo të lënduar.

Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska tha se salla Universale në momentin e rënies së zjarrit ishte bosh.

Rreth orës 11, zjarri u vu nën kontroll deklaroi drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza (QMK), Stojançe Angelov.