Dy fjalë për romanin më disident të letërsisë shqipe

Janë të shumtë studiuesit e huaj për të cilët Dritëro Agolli është: “Autor me përmasa evropiane që meriton famë ndërkombëtare; autor që pasuroi letërsinë botërorë  me një satirë verbuese dhe briliante,kritikoi ashpër burokracinë e vendit të tij”.
Romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” disa lidhin me traditën e veprave të mëdha satiriko-humoristike. Sipas tyre, ai është: “Libër i habitshëm, satirë e tmerrshme për absurditetin e burokracisë dhe shtetit, roman i mprehtë djallëzor, i ngjashëm me  veprën ‘Shoka e grave’ e Andre Zhidit, me ‘Revizorin’ e Gogolit, me veprat e Çehovit, Kafkës, Solzhenicinit”…
Për studiuesin belg Pierr Morrij: “Shkrimtari shqiptar Dritëro Agolli kritikon ashpër burokracinë e vendit të tij. Nuk ka asgjëkundi kritikë më të ashpër të organizimit në vendet e Lindjes sesa në këtë libër, ku mekanizmat e pushtetit çmontohen me një egërsi, të zbutur disi nga një ndjenjë humori, që i afron personazhet me ne, që i bën ata kukulla të manipuluara nga një sistem që është aq i ‘perfeksionuar’  sa nuk mund t’u lë atyre një liri të madhe veprimi”.
*

Romani në fjalë u botua në vitin 1973, në kohën kur arti kërkonte me ankth makanizmat shprangosës prej çmendurisë së pragmatizmit që mbahej në këmbë nga mizëria e shkrimtarëve, kritikëve dhe studiuesve obortarë, kësaj pararoje të devotshme të luftës së klasave dhe revolucionit të përçudnuar kulturor, të ngritur mbi fatkeqësi krijuesish të njëmendtë, të cilët, sa herë e gjenin udhën e shmangies së shabloneve të imponuara, detyroheshin t’u përgjigjen me autokritika fletë-rrufeve të mashave pushtetare.
Këto pra qenë rrethanat në të cilat u botua romani i Dritëroit, me një çift interesant heronjsh letrarë (shefin dhe vartësin e tij – Shokun Zylo dhe Demkën), të cilët akademik Ali Aliu i krahason me çiftin monumental të letërsisë botërore – Don Kishotin dhe Sanço Pançon e Servantesit.
Për njohësit e stalinizmit mbetet i pasqarueshëm guximi i autorit, i cili pikërisht në fazën e forcimit të voluntarizmit, nëpërmjet kuadrove të kulturës masive, të ngarkuar për disiplinimin e artit, vuri në lojë parinë e shtetit, i ndërgjegjshëm se mund ta rrezikojë seriozisht vetveten. Ngritja e tij e hapur kundër zhdanovizmit, eliminon dilemat e lexuesve rreth përvjedhjeve rastësore të goditjeve me të cilat autori e përçmon pushtetin e ngritur mbi mekanizma dhune. Të vetmen gjë që bëri për të shmangur persekutimin e frikshëm, është goditja me këste e ligësive të sistemit, zbutja e sfidës nëpërmjet humorit, kamuflimi i saj si “rastësi e izoluar”, tiparet prej loloje të shokut Zylo, vënia e tij në pozita qesharake, që, si  gjetje “…është një prej zbulimeve të lashta të letërsisë”.
Guximin prometean, “ndërmarrjen donkishoteske dhe gati të frikshme…, që preku dukuritë më karakteristike të pushtetit dhe diktaturës komuniste të kohës…” e dëshmon vetë autori, që, diku në fillim të romanit, shkruan: “Nuk ka asgjë më të keqe se ta vesh njeriun në pozita qesharake. E qeshura e çarmatos njeriun. Aristofani me të qeshurat i çarmatosi perënditë”.
Pa dyshim, kjo shpërfaq qëllimin e vërtetë të shkrimtarit të arritur nëpërmjet homorit dhe të qeshurës, e bën katërcipërisht të qartë ç’perëndi deshi të çarmatosë ai dhe e forcon bindjen se, në kulmin e histerisë staliniste, Dritëro Agolli shkroi një vepër të guximshme me tipare disidence, të konsideruar prej shumëkujt ndër më rebelet në gjithë kampin socialist.
Jo rastësisht, njëri prej pushtetarëve më të lartë dhe më të frikshëm të Shqipërisë staliniste Mehmet Shehu, me një rast i thotë Dritëroit: “Nuk të kam thënë gjer tani, se të kam mik, por me atë Zylon tënd ma ke bërë qesharake administratën!”
*
Bota e romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” është Shqipëria e periudhës moniste, pjella e revolucionit që hante fëmijët e vet, pararoja e  komunizmit botëror, ku bashkëjetonin monstrat e revolucionit kulturor dhe populli që shtirrej i lumtur, sepse rrugë tjetër nuk i kishin lënë. Brenda kësaj bote të vogël kurtoaze dhe plot falcitet, të aftit rrinin nën hijen e diletantëve me pushtet, shkrimtarët harronin të shkruajnë, kurse injorantët bënin karierë artistësh me dekorata presidenciale.
Është kjo bota stereotipe, monotone, njëdimensionale, e pandryshueshme, e vetëmjaftueshme…, ku gjithë njerëzit janë të njëjtë, duken njësoj, vishen njësoj, këndojnë të njëjtat këngë, shkruajnë të njejtin libër, portretojnë të njëjtën botë bardh-e-zi, lindin dhe vdesin njësoj brenda ferrit dhe parajsës monoforme komuniste.
Është një botë plot sançopanço e mbetur pa prometejë, ku rritet rasati i kultit të baballarëve të kombit, që përveçse prijës të revolucionit ishin dhe inxhinierët e shpirtit të robit dhe arkitektët e të ardhmes prej ferri, detyra e të cilëve ishte mpakja e ndërgjegjes së njerëzve të mpirë me narkozë ideologjike dhe mbjellja e halucinacioneve që jetën mizerje e shndërrojnë në parajsë engjëjsh të hareshëm, ku s’ka vend për keqbërës, lypsarë, fatprerë dhe shpirtrobër… Në këtë parajsë ku njerëzit nuk njohin Zot tjetër përveç faraonit, partisë dhe punës, edhe arti është ndryshe prej pjesës tjertër të botës, sepse ai është art proletar, i krijuar prej artistëve të shkrirë në magmën e epigonëve në shërbim të pushtetit.
Në një sistem të këtillë nuk ekzistojnë shkallë kierarkike vlerash kulturore, letrare, shkencore… Aty ka vetëm padronë të frustruar privilegjesh dhe vartës kokëunjur, pa të drejtë mendimi e fjale. Aty gjithçka është dyngjyrëshe, si nata me ditën. Miqësia e sinqertë ndërmjet njerëzish është pothuajse kategori e panjohur, natyrisht: nëse nuk konceptohen për të tilla lidhjet ndërmjet punëdhënësit dhe shërbëtorit, që mbarojnë posa pushon mandati i të parit, sepse njeriu vlen për aq kohë sa ka pushtet.
Sistemi në fjalë është i pabesë. Shtyllat e tij janë spiunët dhe shpifarakët. Rregullat e mbijetesës kërkojnë që askush askujt mos t’i besojë. Është kjo zeja e të gjithëve, pa asnjë përjashtim. Pushtetarët e shfrytëzojnë për ngritje në karierë, kurse njerëzit e thjeshtë për çështje mbijetese dhe për shkak të frikës së futur në palcë. Viktimat e revolucionit, ndërkaq, edhe kur gjenden përpara skuadrave të pushkatimit, për fjalë të fundit zgjedhin: Të rrojë partia! E mos të flasim për prometejët qirinjë të Atdheut, që rrezikonin të mbeten edhe pa varr.
Këto copëza jete, Dritëroi i portretoi me skenime të përpikta, i ironizoi duke lëvizur nëpër tehun e shpatës që mund t’ia priste kokën, gjë që më së miri e ka përkufizuar studiuesi i madh Alen Boske, që, pas leximit të veprës, e quajti atë dinamit të mbuluar me petale.
Është kjo koha kur njerëzit e papërshtatshëm të sferës së kulturës dhe të artit zëvendësoheshin me krijues të meseve rurale, kur gjithçka zhvillohej sipas direktivave të specialistëve sovjetikë, të cilët sollën në Shqipëri rregullat që do të ndiqnin artet dhe letërsia në veçanti.
Kjo mendësi e ngritur mbi frikën e armiqve imagjinarë të shtetit, pas vitit 1973 humnerosi përfundimisht shpresën për shprangimin e shpirtit krijues dhe lulëzimin e mëtejmë të ndonjëfarë frymeje liberale. Bartësit e ideve ngulfatëse e quajtën modernizmin degjenerim të kulturës , art dekadent borgjez…, që ndot artin e pastër socialist.
Dritëro Agolli si duket e shfrytëzoi me zgjuarësi periudhën e shkurtë të liberalizmit të ndrojtur në sferën e kultures, në fund të viteve të ’60-ta, për ta shkruar romanin e tij rebel, duke i dhuruar letërsisë njërën ndër dëshmitë me interesante estetike të kohës, para se të nisë epoka e një mesjete të re për artin dhe artistët shqiptarë, para  nisjes së ndëshkimeve të rënda të sabotuesve të pastërtisë  ideologjike.
Përndryshe, kundërthëniet ndërmjet pushteteve dhe artistëve kanë qenë të njëllojta që nga zanafilla e arteve. Megjithatë, pasoja më të frikshme kanë përjetuar krijuesit e sistemeve totalitare, si puna e Shqipërisë komuniste, që ekskomunikoi, dënoi rëndë madje likuidoi një numër të madh krijuesish, arti i të cilëve ra ndesh me vijën ideologjike të partisë në pushtet.
Pikërisht për këtë, emra eminentë studiuesish shqiptarë dhe të huaj, kanë thënë se veprën “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” Agolli e shkroi me guximin e një të marri, duke sfiduar metodën e realizmit socialist dhe duke çarmatosur perënditë e pushtetit, nëpërmjet të qeshurës së Aristofanit dhe humorit që zbuti dhe  relativizoi pasojat e rënda, që mund t’i binin mbi kokë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.