RMV, sezoni me ajër të ndotur po afron, shteti dhe komunat shurdhe për nevojën për më shumë stacione matëse

Ditët me ndotje enorme të ajrit po afrohen, ndërsa në qytetet në Maqedoni nuk ka stacione të reja monitoruese për matjen e cilësisë së ajrit. Autoritetet në nivel kombëtar dhe lokal ia hedhin përgjegjësitë e tyre njëri-tjetrit për atë se kush duhet të vendosë stacione të reja matëse në vendbanimet në vend, ndërsa përshtypja e përgjithshme është se të gjithë presin fonde nga jashtë për ta rritur numrin e stacioneve për monitorim që do të mundësojnë matje më cilësore të ndotjes së ajrit, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në Shkup, komuna të tëra si Buteli, Saraji, Çairi dhe Shuto Orizare, nuk kanë as edhe një stacion të vetëm monitorues në territorin e tyre që bën matjen e cilësisë së ajrit. Në kuadër të këtyre komunave, si në Vizbeg, për vite me radhë mbeturinat digjen në ambient të hapur dhe kështu shkaktojnë ndotje të ajrit, ndërkohë që nuk ka të dhëna të sakta nga Sistemi Shtetëror për Monitorimin Automatik të Cilësisë së Ajrit Ambiental për atë se çfarë pasoja shkakton një lloj i këtillë i ndotjes tek banorët e vendbanimeve përreth. Edhe në qytetet si Tetova, e cila është vazhdimisht në krye të listës në vend për sa i përket ndotjes së ajrit, ekziston vetëm një stacion matës.

Meta.mk dërgoi pyetje te Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në lidhje me atë nëse planifikojnë ta rrisin numrin e stacioneve monitoruese para sezonit dimëror këtë vit. Përgjigja nga ana e tyre është negative. Gjatë vitit 2023 në vend nuk është instaluar as edhe një stacion i ri për matjen e cilësisë së ajrit dhe deri në fund të vitit as që planifikohet të vendoset një i ri. Vitin e kaluar vetëm në Ohër është instaluar një stacion i ri, ndërsa në vitin 2020 dhe 2021 janë instaluar tre stacione të reja monitorimi në Gjevgjeli, Berovë dhe Prilep.

Sistemi Shtetëror për Monitorimin Automatik të Cilësisë së Ajrit Ambiental i menaxhuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor përbëhet nga 21 stacione fikse për monitorim, si dhe një stacion matës mobil që vendoset në komuna të ndryshme ku nuk ka infrastrukturë të këtillë për matjen e cilësisë së ajrit. Si rezultat i matjeve të tilla përgatiten raporte për ndotjen e ajrit në nivel ditor, mujor dhe vjetor, por sa i përket sezonit të kaluar dimëror Meta.mk shkroi se ka rënie të transparencës në publikimin e të dhënave për ndotjen e ajrit në vend.

Në raportet mujore nga dimri i kaluar herë pas here mungonin të dhënat për disa nga substancat ndotëse që e përcaktojnë cilësinë e ajrit tek disa nga stacionet matëse, sidomos tek ato që janë të vendosura në Shkup. Pastaj, shfaqeshin matje identike për grimcat PM-10 dhe PM-2.5 për të gjithë muajin parprak, gjë që është e pamundur të ndodhë në një lokacion të njëjtë. Rastësisht apo jo, me të dhënat e tilla për një periudhë më të gjatë kohore ishte e pamundur të përcaktohej nëse qytetarët thithnin ajër më të pastër apo më të ndotur.

Nga këndvështrimi i sotëm nuk ka shpjegim të saktë në përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit  jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për atë nëse para fillimit të periudhës dimërore të këtij viti është bërë përmirësimi i stacioneve matëse ekzistuese, ndërrimi i instrumenteve apo nëse janë vendosur pajisje shtesë që do të matin substanca të tjera ndotëse në ajër. Për shembull, në matjet e publikuara të kësaj ministrie nuk gjenden askund të dhëna për nivelin e ndotjes me grimcat PM-1, pra grimcat më të rrezikshme atmosferike që kanë një diametër më të vogël se 1 mikrometër.

Megjithatë, nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor thonë se në bazë të nenit 39 të Ligjit për Cilësinë e Ajrit Ambiental, komunat e Maqedonisë dhe Qyteti i Shkupit mund të vendosin një rrjet lokal për matjen dhe monitorimin e ndotjes së ajrit në territorin e tyre, por pasi paraprakisht të kenë marrë mendim nga ministria e tyre, sipas kushteve dhe mënyrës së rregulluar me Ligjin për Cilësinë e Ajrit Ambiental.

“Këtë vit asnjë komunë nuk na ka kontaktuar në lidhje me vendosjen e stacioneve të reja për monitorim”, thanë për Meta.mk nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Në këtë temë Meta.mk u dërgoi pyetje edhe disa komunave – i pyetëm autoritetet lokale nëse planifikojnë të vendosin stacione matëse shtesë apo sensorë mobil që do të përmirësojnë matjen e cilësisë së ajrit në territorin e komunave të tyre. Pyetje i dërguam komunës Qendër, Çair dhe Kisella Voda, ndërsa përgjigje morëm nga Komuna Qendër dhe Komuna e Kisella Vodës.

Autoritetet lokale nga Komuna Qendër për Meta.mk thonë se në territorin e tyre ka dy stacione matëse që bëjnë matjen e përqendrimeve të ndotësve në ajër, por se nga Komuna Qendër nuk planifikohet vendosje e stacioneve matëse shtesë.

Ajri i ndotur, banesa, ndërtimtari, urbanizëm, leje, urbanistik, cair, analiza ekonomike
Shkup, 24.12.2022. Foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Nga Komuna Qendër mendojnë se Ligji për Cilësinë e Ajrit Ambiental është nën kompetencat e Qytetit të Shkupit, që do të thotë se mbikëqyrjen e bëjnë inspektorët e autorizuar për mjedisin jetësor nga Qyteti i Shkupit. Komuna Qendër i përcjell raportet për cilësinë e ajrit nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe nëse ka tejkalime të përqendrimeve të matura i njofton qytetarët dhe jep rekomandime për mbrojtje nga ndotja e ajrit.

Ndryshe nga kjo njësi lokale, nga Komuna e Kisella Vodës sqarojnë se deri në fund të vitit 2023 përballë Sh.A. Cementarnica në Usje do të vendosin një stacion matës që do të përcaktojë cilësinë e ajrit. Në vitin 2021 kjo njësi e pushtetit lokal vendosi një stacion matës para Shtëpisë së Kulturës “Biljana Beliçanec”, ndërsa deri në fund të mandatit autoritetet komunale planifikojnë të vendosin stacione matëse në vendbanimet Draçevë, Pintija dhe në një lokacion ndërmjet vendbanimet Përzhinë dhe Crnice.

Komuna e Kisella Vodës mbështet qëndrimin e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor se autoritetet lokale duhet të përfshihen në përmirësimin e rrjetit infrastrukturor të sistemit të monitorimit për përcaktimin e cilësisë së ajrit, por shtojnë edhe se nevojitet mbështetje nga ministria.

“Kryetari e mbështet qëndrimin e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sepse është në interes të cilësisë së jetës së qytetarëve që i kanë dhënë mbështetje, por në periudhën e kaluar ka munguar përfshirja e Ministrisë dhe e gjithë barra bie në kurriz të komunës, gjegjësisht obligimi ndahet me fjalë, e jo me vepër”, thanë për Meta.mk nga Komuna e Kisella Vodës.

Sa i përket temës për rritjen e numrit të stacioneve matëse në Shkup, Komuna e Çairit nuk iu përgjigj fare pyetjeve të Meta.mk lidhur me këtë temë. Nuk ka as edhe një stacion të vetëm matës që bën matjen e ndotjes së ajrit në Çair dhe kjo komunë nuk bën pjesë në listën e komunave të mbuluara nga Sistemi Shtetëror për Monitorimin Automatik të Cilësisë së Ajrit Ambiental.

Ndihmë e jashtme për tu përballë me ndotjen e ajrit

E përderisa autoritetet në nivel kombëtar dhe lokal nuk duan t’ia dinë për përmirësimin e sistemit të monitorimit me stacione matëse fikse që duhet të bëjnë matje sa më të saktë të ndotjes së ajrit, në realitet mbetet që donatorët e huaj dhe iniciativat private të kujdesen për përballjen me ndotjen e ajrit në vend.

Me fonde nga Suedia në vlerë prej 4.13 milionë dollarë dhe me bashkëfinancim prej gjysmë milioni dollarësh nga Byroja për Zhvillim Rajonal, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) përmes projektit “Përballja me ndotjen e ajrit” zbaton masa për mbështetjen e komunës së Kavadarit, Gostivarit, Kumanovës, Strumicës dhe Strugës.

Edhe pse nuk parashikojnë prokurimin e stacioneve matëse për monitorimin e cilësisë së ajrit, në kuadër të projektit të UNDP-së do të zbatohen matje të cilësisë së ajrit në pesë qytete. Do të shfrytëzohen stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, me përjashtim të Strugës, ku janë vendosur stacionet matëse indikative për cilësinë e ajrit dhe stacioni meteorologjik.

“Qëllimi i këtyre matjeve është që të fitohen informacione të precize dhe të sakta për përqindjen e disa ndotësve të caktuar të ajrit në secilin prej këtyre pesë qyteteve, në bazë të të cilave autoritetet lokale do të jenë në gjendje t’i përshtasin planet e tyre dhe masat që do të duhet të zbatohen për tu përballë me ndotjen e ajrit”, njoftojnë nga UNDP-ja për Meta.mk.

Krahas përcaktimit të ndotjes së jashtme të ajrit, projekti parashikon edhe matje të ndotjes së brendshme të ajrit, të cilat do të kryhen në dy shkolla apo kopshte në secilën nga pesë komunat. Matjet do të bëhen në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe specifikat lokale për cilësinë e ajrit.

“Për t’i përcaktuar luhatjet sezonale të përqendrimeve të disa ndotësve, mostrat do të merren në dy faza – gjatë muajve të ftohtë (sezonit të ngrohjes) dhe gjatë muajve të ngrohtë. Programet për marrjen e mostrave në çdo institucion do të mbulojnë një periudhë të paktën një javore dhe do të përfshijnë matje të bëra para orëve të mësimit, gjatë tyre dhe pasi ato të kenë përfunduar”, sqarojnë nga UNDP-ja.

Ndotja e ajrit, foto nga Portalb.mk
Ndotja e ajrit, foto nga Portalb.mk

Aktivitetet për matjen e ndotësve të ajrit do të kryhen në periudhën nga muaji mars i vitit 2023 deri në muajin mars të vitit 2024, në pajtim me udhëzuesin e Qendrës së Përbashkët Hulumtuese të Komisionit Evropian.

Në varësi të rezultateve të analizës për përcaktimin e përqindjes së burimeve të ndryshme të ndotjes, në secilën prej komunave do të zbatohen masa të targetuara për zvogëlimin e ndotjes së ajrit. Masat do ta marrin parasysh edhe perspektivën gjinore dhe do të prioritizohen nevojat e qytetarëve të cenueshëm socialë.

Disa nga masat e mundshme që do të ndërmerren pas kryerjes së matjeve do të përfshijnë vendosjen e fasadave energjetike në shkolla, zbatimin e masave të efikasitetit energjetik në ndërtesat publike, zëvendësimin e dritareve të vjetra me të reja në ndërtesat e shkollave, krijimin e zonave të gjelbra dhe shtigje të biçikletave.

Me projektin e UNDP-së do të përforcohen edhe kapacitetet profesionale të inspektorëve dhe punonjësve në pesë komunat që punojnë për mbrojtjen e ajrit dhe mjedisit jetësor, ndërsa do të sigurohen edhe pajisje (pajisje TI, kostume mbrojtëse për vizita në terren, si dhe pajisje/sensorë mobile për matjen e zhurmës ose sensorë për matjen e cilësisë së ujit (Ph-metra) etj.

Në fazën e parë të projektit kapacitetet e Universitetit “Goce Dellçev” u përforcuan shtesë me blerjen e spektrometrit fluoreshent me rreze X shumë të sofistikuar për analizimin e burimeve të grimcave të ngurta të pezulluara nga ajri.

Shkupjanët do të bëhen me një aplikacion të ri për raportimin e ndotësve të ajrit

Në nivel të Qytetit të Shkupit pritet zhvillimi i aplikacionit të ri Breathe.mk, i cili do të punohet nga studentë, ndërsa do ju shërbejë qytetarëve për monitorimin dhe raportimin e ndotjes së ajrit. Muajin e kaluar nën organizimin e “Brainster” dhe në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit dhe aplikacionin tashmë të krijuar “Ajri im”, u mbajtën dy hakatonë për zhvillimin e Breathe.mk. Deri në fillimin e përdorimit të tij të gjithë qytetarët mund të përdorin aplikacionin “Ajri im” për informim të rregullt për cilësinë e ajrit në Shkup.