Drejtoria e Arkivave të Shqipërisë sjellë ekspozitën e titulluar “Dorëshkrimet e Kadaresë” në COD

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) dhe familjen Kadare, në Bibliotekën e Kryeministrisë së Shqipërisë me fillim nga ora 18:00 sjellin sot një ekspozitë që shpalos dorëshkrime të shkrimtarit shqiptar të përbotshëm, Ismail Kadare, njofton Portalb.mk.

Nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave bëjnë të ditur se, në këtë ekspozitë e titulluar “Dorëshkrimet e Kadaresë” do të prezantohen për publikun 44 488 faqe, me dhjetëra publikime, përfshirë edhe romane të pabotuara, poezi dhe skica, që përshkruajnë rrugëtimin krijues të autorit, prej moshës 11-vjeçare deri në muzg të jetës.

Koleksioni i veprimtarisë letrare të shkrimtarit të madh Ismail Kadare ruhet në një vend të veçantë të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Familjarët e shkrimtarit kanë dorëzuan në gusht të këtij viti për ruajtje, administrim, restaurim dhe digjitalizim të gjithë koleksionin e tij letrar përfshirë dorëshkrime, skicë idesh, dorëshkrime të veprave të pabotuara si dhe drafte fillestare të punimeve të tij.

Mes materialeve të dorëzuara, bëjnë pjesë edhe dorëshkrimet e veprave: “Darka e gabuar”, “Ra ky mort e u pamë”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Koha e parasë”, “Stinë e mërzitshme në Olimp”, “Hamleti”, “Hijet”, “Përbindëshi” dhe “Mosmarrëveshja”.

Po ashtu, janë dorëzuar edhe shtypshkrimet e veprave “Sorkadhet e trembura”, “Aksidenti”, “Ftesë në studio”, “Ëndërrimet” dhe “Mëngjese në Kafe Rostand”, dhe shumë vepra të tjera. Krahas tyre, gjenden edhe blloqet me shënime të hedhura prej Kadaresë gjatë krijimtarisë, albume me foto të tij familjare, albume nga aktivitete të shumta kulturore, si edhe dekreti i shtetësisë së Republikës së Kosovës.

Për të gjithë artëdashësit ekspozita do të qëndrojë e hapur për disa ditë me radhë në ambientet e COD-it.