Doli nga shtypi monografia “Marrëdhëniet juridike-pasurore të bashkëshortëve” e profesoreshës së ndjerë Emine Zendeli

Monografia “Marrëdhëniet juridike-pasurore të bashkëshortëve” botohet postmortum, me editimin e profesoreshës Arta Selmani dhe përkrahjen e familjareve të profesoreshës së ndjerë Emine Zendeli. Recenzentë të monografisë janë: prof.dr Adnan Jashari dhe prof.dr Sami Mehmeti dhe botues është Universiteti i Evropës Juglindore, e njëjta është miratuar si tekst universitar nga Këshilli Mësimor-Shkencor i Fakultetit Juridik të këtij universiteti, transmeton Portalb.mk.

Ky tekst universitar përmban hulumtim të detajuar për një institut të rëndësishëm të së drejtës sendore, më saktë për të drejtën e pronësisë, por nga një dimension dhe nga një këndvështrim tjetër. Fusha e interesit të këtij studimi lidhet me njërën nga format specifike të pronësisë së përbashkët, respektivisht me institutin e pronësisë së përbashkët të bashkëshortëve, por me një vështrim të posaçëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut si dhe në të drejtën komparative.

Ky institut është shumëdimensional, dhe lidhet me të drejtën sendore, familjare, dhe procedurale civile. Pronësia e përbashkët e bashkëshortëve është institut i rëndësishëm, kompleks dhe me natyrë juridike të veçantë (sui generis) i të drejtës pasurore bashkëshortore. Pasi martesa është bashkësi jetësore, që do të thotë njëkohësisht edhe bashkësi ekonomike, bashkëshortët në martesë krijojnë të mira materiale, por edhe sjellin të mira materiale të fituara më parë. Pronësia e përbashkët e bashkëshortëve është rezultat i jetës dhe punës së përbashkët bashkëshortore, prandaj është me rëndësi që të caktohet rrethi i të drejtave dhe detyrave të bashkëshortëve lidhur me te. Ajo nuk i takon asnjërit në veçanti, por që të dyve së bashku.

Lidhur me këtë karakteristikë të pronësisë së përbashkët, në praktikë, mund të paraqiten qëndrime të ndryshme, kontradiktore lidhur me mënyrën se si duhet të administrohet dhe disponohet pronësia e përbashkët, dhe cilit nga bashkëshortët duhet t’i takojë ajo në rast të ndarjes.

Kjo monografi do të ju shërbejë si tekst universitar studentëve të Fakulteteve juridike në studimet deridiplomike, pasdiplomike dhe studimeve të doktoraturës, si dhe praktikuesve juridik.

Emine Zendeli u lind me 18 Gusht 1966 në Tetovë. Studimet i mbaroi në Universitetin e Prishtinës-Fakulteti Juridik, të cilat edhe i përfundoi me sukses si një ndër studentet më të dalluara të gjeneratës 1985/89. Gjatë studimeve ishte pjesë e lëvizjeve studentore të asaj kohe kundër padrejtësive që i bëheshin kombit shqiptar në trevat e ish RSFJ. Angazhimin në punë akademike e iniciuan profesorë nga fakulteti juridik i UP, punë të cilën e bëri me përkushtimin më të madh fillimisht me themelimin e Universitetit të Tetovës duke vazhduar në Fakultetin juridik të UEJL-së. Zendeli për 25 vjet rresht ka lënë gjurmë të thella në punën e saj akademike si një shkencëtare e rrallë në fushën e drejtësisë përmes publikimeve të punimeve shkencore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, dhe si profesoreshë- ligjëruese. Në periudhën 2016/19 krahas punës si mësimdhënëse ka qenë edhe dekane e Fakultetit juridik në UEJL. Sëmundja e rëndë Emine Zendelit ia ndërpreu hapërimin drejt finalizimit të karrierës profesionale. Për punën e saj ajo u vlerësua lartë dhe post-mortum nga Këshilli Mësimor – Shkencor i Fakultetit juridik-UEJL përmes riemërimit të Klinikës juridike në Klinika Juridike e Fakultetit juridik ,,Emine Zendeli”. Ajo ndërroi jetë me 11 Shtator 2021.