Platforma për Barazi Gjinore dënoi deklaratat e Bogojeskit: Arsyetoi dhunën ndaj grave

Platforma për Barazi Gjinore ka dënuar deklaratat e Petar Bogojeskit, të bëra gjatë një debati në TV Alfa, duke i cilësuar si mizogjene dhe të rrezikshme, pasi sipas saj relativizojnë dhunën ndaj grave dhe promovojnë kontrollin e burrave mbi partneret e tyre, transmeton Portalb.mk.

Nga Platforma reagojnë veçanërisht ndaj deklaratës së Bojojeskit se “sjellja e dhunshme ndaj grave është reagim për mbrojtjen e dinjitetit mashkullor”. Ata theksojnë se është shqetësuese që këto qëndrime vijnë nga një docent në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihailo Apostolski” në Shkup dhe kryetar i partisë Koncepti Maqedonas, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga VMRO-DPMNE.

Platforma kritikon edhe televizionin Alfa për hapësirën që, sipas saj, u jep personave me qëndrime kundër barazisë gjinore dhe mbrojtjes së grave. Ajo kërkon nga televizioni përgjegjësi editoriale, ndërsa nga SHGM-ja, SPGPM-ja dhe Këshilli i Etikës në Media kërkon të shqyrtojnë nëse gazetarët kanë reaguar në përputhje me standardet profesionale dhe etike.

Në reagim përmenden edhe të dhënat për dhunën ndaj grave. Sipas Rrjetit Nacional Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, gjatë vitit 2025 janë evidentuar gjashtë gra të vrara dhe katër tentativa për vrasje, ndërsa në nëntë muajt e parë të vitit 2026 janë regjistruar shtatë gra të vrara dhe dy tentativa për vrasje.

Platforma u bën thirrje edhe Akademisë Ushtarake dhe komunitetit akademik që të prononcohen për deklaratat e Bogojeskit, ndërsa pushtetit dhe institucioneve që të distancohen nga qëndrimet e tij dhe të rishqyrtojnë pjesëmarrjen e partisë së tij në koalicionin qeverisës.

“Martesa nuk nënkupton humbjen e autonomisë personale”, thuhet në reagimin e Platformës për Barazi Gjinore.

Reagimet vijnë pas debatit në TV Alfa, ku Bogojeski foli për feminizmin, marrëdhëniet bashkëshortore dhe rolin e burrit ndaj gruas. Ai deklaroi se feminizmi i ka nxitur gratë ta refuzojnë mbikëqyrjen nga burrat dhe se bashkëshorti duhet të ketë rolin e mbikëqyrësit ndaj bashkëshortes. Gjithashtu, duke folur për tradhtinë bashkëshortore, ai e përshkroi reagimin e burrit si reagim për mbrojtjen e dinjitetit të tij, e jo si dhunë.