Ditët e ardhshme pritet të ketë reshje shiu në Maqedoninë e Veriut, do të ketë edhe ulje të temperaturave

Në disa pjesë të vendit këtë pasdite dhe në ditët në vijim pritet shi i dendur me bubullima. Sipas parashikimit të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, sot moti do të jetë me diell dhe i ngrohtë me vranësira të lehta deri në mesatare lokale, pasdite, në pjesët veriore, do të ketë kushte për zhvillim lokal të vranësirave të paqëndrueshme me shira të rrëmbyeshëm dhe bubullima, dhe temperatura maksimale do të jetë deri në 38 gradë Celsius, raporton Portalb.mk.

Mot i ngjashëm do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, nesër temperaturat do të arrijnë 36 gradë, dhe moti do të jetë me diell me vranësira të lehta deri në mesatare lokale dhe me shira dhe bubullima afatshkurtra dhe me erë të lehtë deri në mesatare. Deri të enjten, temperaturat do të bien në 34 gradë, ndërsa Drejtoria parashikon mot të ndryshueshëm me vranësira me periudha me diell dhe shi në pasdite.

Moti në Shkup do të jetë i ngjashëm, me kushte për shira dhe bubullima të rrëmbyeshme afatshkurtra, si dhe erëra të lehta deri në mesatare, dhe herë pas here erëra të forta në pasdite.