Dita Ndërkombëtare e Qasjes në Informacion, Indeksi i Hapjes së pushtetit: Qeveria edhe këtë vit ngec në përparim
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Qasjes Universale në Informacion – 28 shtatorin, Metamorfozis promovoi rezultatet e Indeksit të Hapjes së pushtetit ekzekutiv. Rezultati i përgjithshëm i pushtetit ekzekutiv në Maqedoninë e Veriut (qeveria, ministritë dhe organet ekzekutive) sipas Indeksit të Hapjes të pushtetit ekzekutiv, në vitin 2024 pati një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2023, gjegjësisht arrin 63,71% përmbushje të treguesve të hapjes (krahasuar me vitin 2023 kur arriti 67%), shkruan Portalb.mk.
Siç thuhet në njoftimin e organizatës, Qeveria e Maqedonisë së Veriut është institucioni më i hapur midis grupeve të pushtetit ekzekutiv, ministrive dhe organeve të administratës shtetërore, duke përmbushur 77,32% të kritereve. Krahasuar me vitin e kaluar, ka pasur një rënie minimale prej 1%, gjë që përsëritet për të dytin vit radhazi.
“Analizuar nga aspekti rajonal (Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina), përmbushja mesatarja e treguesve të qeverive të të cilave është 60,17 %, rezultati i qeverisë së Maqedonisë së Veriut është shumë i mirë, sepse për gjashtë vjet me radhë në rajon, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka qenë në vendin e parë në përmbushjen e treguesve, por ngec në përparim nga viti në vit. Për herë të parë pas 9 vitesh, që kur matuet hapja e institucioneve, në vendin e dytë janë organet ekzekutive me 57,79%, ndërsa me rezultatin më të ulët sipas Indeksit, gjegjësisht me përmbushje të treguesve prej 56,02%, janë ministritë (të cilat kanë një rënie prej 8% të treguesve të hapjes krahasuar me vitin e kaluar)”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, kur bëhet fjalë për hapjen praktike të pushtetit ekzekutiv në procesin e vendimmarrjes, progresi ka ngecur. Seancat e qeverisë ende nuk janë të hapura për publikun, as nuk transmetohen, ndërsa publikimi i procesverbaleve pas seancave nuk ofron informacion të mjaftueshëm për mënyrën se si merren vendimet. Pavarësisht termit të përdorur shpesh “transparencë proaktive”, qytetarët ende nuk kanë qasje në propozim-dokumentet në të cilat punon Qeveria përpara se të merren vendimet.
“Këtë vit është vënë re se në të gjitha ministritë, përveç në tre prej tyre (Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrin e Vetëqeverisjes Lokale dhe Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive) ka një rënie të konsiderueshme të treguesve të hapjes. Rënie më të madhe të treguesve të hapjes ka Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme. Përfundim i përgjithshëm që del nga institucionet e monitoruara në Indeksin e Hapjes është se angazhimi dhe zbatimi i standardeve të hapjes janë në nivele të ndryshme midis strukturave të ndryshme të pushtetit ekzekutiv, dhe për këtë arsye koncepti i hapjes duhet të zgjidhet në mënyrë sistemore. Prandaj, politikat qendrore, si për shembull Strategjia për Transparencës e qeverisë dhe standardet minimale të përcaktuara për transparencën dhe llogaridhënien publike, duhet të pranohen dhe të zbatohen nga të gjitha institucionet e pushtetit qendror. Është e nevojshme të ndahen burime financiare për zbatimin e kësaj Strategjie dhe të angazhohen burime njerëzore shtesë me qëllim të forcimit të zbatimit të aktiviteteve të planifikuara”, thuhet në raportin e organizatës.
Nga matjet individuale të gjithsej 40 institucioneve, Ministria e Mbrojtjes (83%) mbeti institucion kryesor në Maqedoninë e Veriut për sa i përket përmbushjes së treguesve të hapjes, e këtë vit pasohet nga Inspektorati Shtetëror Administrativ (78,48%) dhe Qeveria (77,32%). Por, ajo që është vënë re këtë vit është se Ministria e Mbrojtjes, e cila vitin e kaluar ishte institucioni më i hapur në rajon, këtë vit është në vendin e tretë në rajon.
- LEXO: Dita Ndërkombëtare e Informimit, heshtja administrative e mbyt të drejtën për informata në Maqedoninë e Veriut
- LEXO: Metamorfozis publikoi matjet: Luftimi i korrupsionit bëhet vetëm përmes rritjes së transparencës së institucioneve
- LEXO: Qeveria e RMV-së jotransparente në punën e saj, në shqip s’bëhet fjalë po as në maqedonisht, arsyetimi: Jemi cak i hakerëve