U shënua Nata Evropiane e Hulumtuesve 2025 me ekspozitën “CERN dhe Universi: Shkenca që na lidh”
Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Europe House shënuan dje Naten Evropiane të Hulumtuesve 2025 me një ngjarje madhështore në hapësirat e Diamond Mall në Shkup. Ky vit ka një rëndësi të veçantë, pasi në të gjithë Evropën shënohen 20 vite nga edicioni i parë i Natës Evropiane të Hulumtuesve, duke e bërë vitin 2025 një moment historik për promovimin e shkencës dhe inovacionit, transmeton Portalb.mk.
Ngjarja kryesore e këtij viti ishte hapja e ekspozitës “CERN dhe Universi: Shkenca që na lidh”, e realizuar në bashkëpunim me CERN, qendrën udhëheqëse botërore për fizikë bërthamore dhe grimcave, si dhe Institutin e Fizikës pranë Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN) në Shkup.
Ambasadori i BE-së Michaelis Rokas në fjalimin e tij gjatë hapjes së ekspertizës theksoi rëndësinë e shkencës në ndërtimin e një shoqërie të bazuar në mendim kritik dhe fakte shkencore, duke u bërë thirrje të rinjve që të ndjekin karrierë në shkencë dhe teknologji:
“Qëllimi i këtij aktiviteti është të ndezë kureshtjen tek të rinjtë dhe t’i inkurajojë ata të synojnë një karrierë në shkencë dhe teknologji. Përmes ekspozitave si kjo, tregojmë se shkenca nuk është diçka abstrakte – ajo është e gjallë, një praktikë e gjallë që ndikon tek të gjithë ne. Në një kohë kur dezinformimi dhe teoritë e konspiracionit shpesh dominojnë diskursin publik, iniciativa të tilla dëshmojnë përkushtimin e BE-së ndaj njohurive të bazuara në fakte dhe mendimit kritik. Siç thoshte fizikantja dhe kimistja e njohur polako-franceze, fituese e Çmimit Nobel, Maria Sklodovska-Kiri: ‘Asgjë në jetë nuk duhet të frikësojë, duhet vetëm të kuptohet. Tani është koha të kuptojmë më shumë, në mënyrë që të frikësohemi më pak’”, tha ai.
Nga ana tjetër, Dr. Tadeush Kurtika falënderoi organizatorët dhe u shpreh optimist për bashkëpunimin e ardhshëm mes shkencëtarëve nga Maqedonia e Veriut dhe CERN-it:
“Do të dëshiroja të shpreh mirënjohjen time ndaj Europe House dhe komunitetit shkencor nga Shkupi për vendimin që ky aktivitet, si pjesë e Natës Evropiane të Hulumtuesve, t’i kushtohet ekspozitës për CERN. Shpresoj që kjo ekspozitë, qoftë edhe në një masë të vogël, të kontribuojë në aktivitetet e Europe House që mbështesin anëtarësimin e vendit tuaj në Bashkimin Evropian dhe promovojnë prioritetet dhe aktivitetet e destinuara për gjeneratën e re. Sinqerisht shpresoj që kjo ekspozitë të jetë një urë për thellimin e lidhjeve dhe forcimin e bashkëpunimit midis CERN-it dhe shkencëtarëve të vednit, dhe më lejoni të shtoj se në CERN gjithmonë do të jemi të lumtur t’ju kemi si mysafirë tanë!”, tha ajo.
Në dy javët e ardhshme, ekspozita “CERN dhe Universi: Shkenca që na lidh” do t’u ofrojë vizitorëve mundësinë të eksplorojnë historinë e universit dhe fizikën e grimcave, të marrin pjesë në shëtitje virtuale nëpër përshpejtuesin e CERN-it dhe të vizitojnë këndin shkencor për fëmijë, ku përmes lojës do të njihen me atomet dhe sistemin periodik.