Dita e Verifikimit të Fakteve: Luftërat dhe jostabiliteti gjeopolitik, sfidë për verifikuesit e fakteve në mbarë botën
Verifikuesit e fakteve dhe të gjithë ata që angazhohen për ruajtjen e integritetit të informacionit në skenën publike, festojnë sot 2 Prillin – Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve (#FactCheckingDay).Dita Ndërkombëtare e Verifikimit të Fakteve këtë vit shënohet me slloganin “Ne qëndrojmë pas fakteve!” (We Stand for Facts!). Këtë vit, kjo ditë kalon nën hijen e luftërave, të cilat nuk janë miqësore ndaj fakteve dhe të vërtetës, shkruan Portalb.mk.
Sot është 2 Prilli – dita kur verifikuesit e fakteve, të cilët punojnë çdo ditë që debati publik të bazohet në fakte dhe jo në trillime, shënojnë edhe një tjetër vit të vështirë të dominuar nga ngjarje globale gjeopolitike, siç janë luftërat, në thelbin e të cilave nuk është respektimi i fakteve.
Dita e parë Ndërkombëtare e Verifikimit të Fakteve u lansua nga Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikimit të Fakteve (IFCN) në vitin 2016 për të shënuar dhe vlerësuar punën e verifikuesve në mbarë botën. Ky rrjet nisi me vetëm dhjetëra anëtarë, ndërsa sot numëron mbi 180 organizata globale.Në Maqedoninë e Veriut, anëtare e plotë dhe e certifikuar e këtij rrjeti që nga viti 2019 është Fondacioni Metamorphosis dhe portali i verifikimit të fakteve Vërtetmatës .
Që nga viti 2023, Metamorphosis dhe Vërtetmatës janë gjithashtu anëtarë të certifikuar të Rrjetit Evropian të Standardeve të Verifikimit të Fakteve me seli në Bruksel. Në këtë proces janë përfshirë aktivisht edhe botimet e tjera të fondacionit portali informativ në gjuhën shqipe, Portalb dhe agjencia e lajmeve Meta.
Gjatë vitit të kaluar, botimet e Metamorfozis punuan rreth 1.000 verifikime faktesh dhe demaskime të spin-eve (manipulimeve) nga aktorët e politikave publike, si dhe kontrolle mbi përmbushjen e premtimeve parazgjedhore.
Lufta si burim i dezinformatave
Luftërat, të cilat për nga natyra e tyre mjegullojnë dhe shtrembërojnë të vërtetën, mbeten tema kryesore mediatike. Lufta në Ukrainë, pas agresionit rus, po zgjat prej më shumë se 4 vite pa shpresë për armëpushim.Pas sulmit ajror të vitit të kaluar mbi Iran, ku Izraeli dhe SHBA-ja bombarduan impiantet bërthamore, aktualisht shohim një përshkallëzim që ka gjasa të kthehet në pushtim ushtarak dhe që tashmë është përhapur në gjithë rajonin.
Shpejtësia e përhapjes së konfliktit është e barabartë me shpejtësinë e dezinformatave: sa më shumë shtete dhe njerëz preken, aq më shumë manipulime dhe gjysmë të vërteta qarkullojnë.
Ndryshe nga fillimi i konfliktit, ku abuzohej me elemente vizuale (foto/video) nga konflikte të vjetra, tani jemi dëshmitarë të narrativave të plota dezinformuese. Këto shtyhen përmes dezinformatave të përsëritura për të vëndosur lajmet e pafavorshme në një dritë pozitive për propaganduesit. Shpesh kjo bëhet nga figura të larta shtetërore, akrobacionet e të cilëve arrijnë te publiku i gjerë shumë më shpejt se verifikimet e fakteve.
Sa i përket ndërhyrjeve të huaja dhe manipulimeve (FIMI) që vijnë nga Kremlini, vërehet një rënie e intensitetit të tyre për shkak të shpenzimeve të mëdha të Rusisë për buxhetet ushtarake, por narrativat kundër Ukrainës, Perëndimit, BE-së dhe NATO-s mbeten aktive. Kremlini vazhdon të veprojë në mënyrë oportuniste për t’u shkaktuar dëm vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së.
Sfida e Inteligjencës Artificiale dhe mashtrimet online
Përdorimi i Inteligjencës Artificiale (IA) për shpërndarjen e dezinformatave po bëhet sfidë serioze. Për dallim nga vitet e kaluara kur këto përmbajtje vinin nga jashtë, tani përdorimi i IA-së po bëhet gjithnjë e më lokal. Një shpërthim i dezinformatave lokale të prodhuara nga IA pritet edhe në vitet 2027-28. Shumë fotografi që përdoren për klikime apo “clickbait” ose shitje ilaçesh janë tashmë krijime të përdoruesve vendas.
Mashtrimet online, veçanërisht në rrjetet sociale, po përjetojnë një “mini-rilindje”. Megjithëse shumica janë skema të njohura, intensiteti i tyre është rritur aq shumë sa që është vështirë të hysh në rrjete sociale pa u ndeshur me përmbajtje mashtruese. Mashtrimet bazë “clickbait” po rikthehen, duke zëvendësuar përkohësisht kripto-mashtrimet.
Dezinformatat politike
Dezinformatat politike mbeten aktuale. Megjithëse gjendja është më e mirë se gjatë krizës së viteve 2011-2017, problemet vazhdojnë. Premtimeve parazgjedhore u mungojnë afatet dhe ato thjesht barten nga një cikël në tjetrin. Në komunikatat partiake hasen shpesh dezinformata, ndërsa në deklaratat e politikanëve mbizotërojnë manipulimet ku e vërteta shtrihet, fshihet ose abuzohet.